untitled
 

…Në pyll, ka udhë që, shpesh të zëna me ferra e shkurre, ndalen papritmas në të pa-çelurën.

I quajmë Holzwege.

Secili ndjek udhën e vet, por në të njëjtin pyll. Shpesh, ndodh që këto udhë ngjajnë ndërmjet tyre. Por kjo është vetëm dukje.

Druvarët dhe pylltarët i njohin udhët. Ato e dinë çka do të thotë kjo : të jesh mbi një Holzweg, mbi një udhë pa udhë.

Udhë pa udhë

 

Në një rrëfim të shkurtër një vit para botimit të kësaj vepre, Heidegger sqaron kuptimin e veprës së tij duke shënuar që bëhet fjalë për një meditim mbi thelbin dhe historinë fatësore të metafizikës perëndimore që e përcakton njeriun në ekzistencën e tij planetare. Nëse temat e përqasura nuk kanë asnjë raport të dukshëm ndërmjet tyre, menduar nisur nga vetë gjëja në shqyrtim gjithçka mbahet në një harmoni të fshehtë dhe rigoroze. Asnjë prej udhëve të kallëzuara nuk duhet marrë përveç nëse të tjerat të mos kenë qenë të përshkuara nga ana e tyre, udhë të cilat, së bashku, përvijojnë një parcelë të Denkweg-ut (shteg mendimi) të cilën autori është orvatur për ta përshkuar qysh nga Sein und Zeit. Gjashtë esetë e përmbledhjes paraqiten si po aq udhë endjeje të mendimit dhe të historisë së Perëndimit të njohura nën emrin metafizikë, udhë në dukje të shpërndara por ku lidhja e tyre e fshehtë shprehet tashmë në vetë titullin e librit : « udhë pa udhë », por udhë që nuk të humbasin, që nuk ndjekin asnjë qëllim dhe nuk parashtrojnë asnjë përgjigje ndaj çështjeve që nuk pushojnë së lodhuri epokën tonë, udhë të cilat nuk i detyrojnë lexuesit asnjë të vërtetë doktrinale, më e shumta mund ta shtyjnë atë për tu vënë për udhë dhe për ta shoqëruar mendimtarin në ecjen e tij të duruar përmes pyllit të dendur dhe të harlisur të mendimit ku secili ndjek siç qorrazi rrugën e tij të vet përmes pyetësimeve dhe vënieve në çështje. Është në zemër të pyllit kjo që mendimtari gjendet dhe ngulitet siç në vendin e tij familjar të punës.

Eseja e parë që ringjitet në një konferencë të 1935, Der Ursprung des Kunstwerkes, mediton mbi thelbin e origjinën e veprës së artit. Pas një analize të gjatë të përgjigjeve të ndryshme historike të shmangura si të papërshtatshme, që nga përqasja estetike e privilegjuar e deri tek ajo që mbështetet mbi afrinë e veprës së artit dhe objektit të përdorimit, autori, duke reflektuar mbi një pikturë të Van Gogh që paraqet një palë këpucësh fshatari apo mbi një tempull grek, e zbulon thelbin e tyre, përtej krijimtarisë së artistit dhe kapshmërisë së amatorit të artit, në funksionin themelues dhe historial të vetë artit : çdo art është një gjuhë dhe poiesis, vepra e artit duke qenë marrë si vënia në zbatim e së vërtetës apo shpallje dhe themelim i një Bote historike.

Eseja e dytë, Die Zeit des Weltbildes (Epoka e konceptimeve të botës), është një konferencë e 1938-ës ku Heidegger reflekton mbi themelet metafizike të konceptimeve të Botës së modernitetit të shënuar nga bashkëpunimi i shkencës dhe teknikës të cilat vënë së bashku në skenë një tërësi të madhe mjetesh planifikimi dhe organizimi të Botës. Konceptim antropologjik që merr zanafillë në metafizikën e subjektivitetit i cili triumfon me Descartes dhe përkryhet me Nietzsche, siç e saktësojnë këtë shënimet shtesë. Eseja e tretë dhe e katërt që datojnë të dyja në vitet 1942-43 përmendin dy figura të shquara të historisë së metafizikës perëndimore të cilat shënojnë përkryerjen e kësaj metafizike : Hegel dhe Nietzsche : i pari duke ilustruar në Fenomenologjia e Mendjes nën konceptin eksperiencë (Erfahrung) – që Heidegger e shqyrton duke komentuar hyrjen – formën më të përkryer të dijes dhe shkencës së epokës moderne ; i dyti, duke shqiptuar fjalën më të tmerrshme të modernitetit të Perëndimit në rënie, « Zoti ka vdekur », zbulon në fakt aleancën e ngushtë që ka lidhur pa dijeninë e saj metafizika perëndimore me nihilizmin i cili më shumë sesa një qëndrim të thjeshtë intelektual nxjerr në pah « logjikën » e brendshme të historisë së Perëndimit ; Nietzsche e vulos sundimin absolut të kësaj logjike nën figurën e vullnetit të fuqisë dhe atë të Mbinjeriut.

Duke përkujtuar më 1946 vdekjen e poetit R. M. Rilke, eseja Wozu Dichter ? (Përse poetë ?) zë vend nën udhëheqjen e një fjale të Hölderlin : « Përse poetë në kohë pikëllimi ? » për të medituar në mënyrën e tij, nën hijen e Elegjive dhe Sonatave ndaj Orfeut të Rilke dhe përmes një dialogu mendues me poetin, skamjen dhe pikëllimin e kohëve ku është zhdukur çdo gjurmë e së Shenjtës. Mendimtari dhe poeti takohen sepse që të dy ndjehen të përballur me kërcënimin që vjen nga fuqia sunduese e epokës, thelbi i fshehur i Teknikës i cili shtrihet për të shkatërruar gjithçka, humanitetin e njeriut si dhe sendësinë e sendeve. Epokë e re e Botës, as rënie as rrëzim por fat i njeriut, kjo është gjithashtu epoka ku poeti, i cili është më guximtari ndër njerëzit, hap nga kënga dhe e thëna e tij udhën e cila del mbi lirishtën (Lichtung) e Qenies dhe së Hapurës së Botës, me një fjalë lajmëron atë çka është premtim shpëtimi.

Eseja e fundit e përmbledhjes së menduar qysh më 1946, Der Spruch des Anaximander (Fjala e Anaksimandrit), që fton edhe kjo tek mendimi i vetëmbledhur, rikthehet tek një fjalë zanafillore e mbajtur për më e hershmja, e ripërkthyer dhe rimenduar në një mënyrë origjinale, nga një mendimtar i parë i Perëndimit : presokratiku Anaksimandër. Në favorin e kësaj Schritt zurück (« hap që zbrapset ») zbulohet ajo çka bëhet me historinë e mendimit e cila është historia fatësore, madje mirëfilli « eskatologjia e Qenies », në të njëjtën kohë endje e mendimit, i ndalur në këtë Grundwort të menduar nga Anaksimandri që e udhëheq këtë mendim : eon (qënia në praninë e saj) ku lajmërohet diferenca ontologjike e qenies dhe qënies, diferencë e përkushtuar ndaj harresës nga e cila fillon megjithatë vetë historia e Qenies. Mendimi në autenticitetin e tij është të thënurit (Dichten) e së vërtetës së Qenies, e vërtetë e cila shfaqet përmes dialogut historial të menduesve.

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com