V
Këtë fjalë të pestë, ne e gjejmë në poemën e madhe, në këtë poemë të rrallë që fillon kështu :
Në blu të adhurueshme lulëzon
Kambanarja me çati të metaltë.
(VI, 24)
Këtu Hölderlini thotë (v. 32) :
I pasur në merita, megjithatë poetikisht
njeriu banon mbi këtë tokë.
Ajo çka njeriu vepron dhe përndjek është e fituar dhe e merituar nga përpjekja e tij e vet. « Megjithatë » – thotë Hölderlini duke theksuar me forcë kontrastin – e tërë kjo nuk ka lidhje me thelbin e të banuarit të tij mbi këtë tokë, e tërë kjo nuk prek thellësinë e qenies-aty të njeriut. Kjo qenie është « poïétike » në thellësinë e saj. Por me poezi (Dichtung), ajo çka ne kuptojmë tani është emërtimi i zotave dhe i thelbit të gjërave, emërtim themelues. « Të banosh poetikisht », kjo do të thotë : të mbahesh në praninë e zotave dhe të jesh i prekur nga afërsia thelbësore e gjërave. Që ky emërtim të jetë « poïétik » në thelbin e tij, kjo do të thotë në të njëjtën kohë që qenia-aty e tillë si e themeluar nuk është një meritë, por një dhuratë.
Poezia nuk është një zbukurim i thjeshtë i cili do të shoqëronte qenien-aty, as një entuziazëm i thjeshtë kalimtar ; ajo nuk është aspak një dehje e thjeshtë apo një kalim kohe. Poezia është themeli që mbështet Historinë, ajo nuk është kështu thjesht një shfaqje e kulturës, dhe për arsyen më të fortë ajo nuk është thjesht « shprehja » e « shpirtit të një kulture ».
Që qenia-jonë-aty të jetë poetike në thelbin e saj, kjo më së fundi nuk mund të nënkuptojë që ajo të mos jetë gjë tjetër përveçse një lojë paqësore. Megjithatë Hölderlini, në fjalën që ne e kemi cituar si të parën e lajtmotiveve tona, a nuk e përshkruan ai vetë poezinë si « kjo punë më e pafajshmja ndër të gjitha » ? Qysh pajtohet kjo me thelbin e poezisë, të tillë siç e shohim atë tani të shpalosur ? Kështu ne rikthehemi tek pyetja që ne patëm filluar së lënuri mënjanë. Duke iu përgjigjur asaj tani, le të përpiqemi në të njëjtën kohë për të mbledhur nën të njëjtin vështrim thelbin e poezisë dhe atë të poetit.
Një rezultat i parë ka dalur në dritë : domeni ku vepron poezia është gjuha. Thelbi i poezisë duhet të jetë i menduar nisur nga thelbi i gjuhës. Pastaj ne kemi shquar mënyrën me të cilën poezia është emërtimi i cili themelon qenien dhe thelbi i çdo gjëje – dhe aspak një të thënur çfarëdo, por ai nga i cili gjithçka gjendet fillimisht e vënë lakuriq, gjithçka që ne debatojmë dhe e trajtojmë pastaj në gjuhën e përditshme. Për rrjedhojë, poezia nuk e merr gjuhën kurrë si një lëndë për t’u punuar dhe që do të ishte në zotërimin e saj, por përkundrazi është poezia ajo që fillon së sjelluri të mundshme gjuhën. Poezia është gjuha primitive e një populli historial. Duhet pra që përkundrazi thelbi i gjuhës të jetë i kuptuar nisur nga thelbi i poezisë.
Themeli i qenies-aty të njeriut është dialogu si mënyrë e veçantë e mbërritjes së gjuhës. Por gjuha primitive (Ursprache) është poezia e tillë si themelim i qenies. Mirëpo, gjuha është « më e rrezikshmja e të mirave ». Pra poezia është vepra më e rrezikshme – dhe në të njëjtën kohë « më e pafajshmja ndër të gjitha punët ».
Në fakt – ne do të mendojmë thelbin e plotë të poezisë vetëm me kushtin që ne të arrijmë për t’i përqafuar në një mendim të vetëm këto dy përcaktime.
Por, në të vërtetë, a është pra poezia vepra më e rrezikshme ? Në një letër të adresuar ndaj njërit prej miqve të vet, pak para nisjes së tij për udhëtimin e fundit në Francë, Hölderlini shkruante kështu : « O mik ! Bota është këtu përpara meje, më e qartë se kurrë, dhe më e rëndë ! Unë jam i kënaqur, kështu, nga ajo çka ndodh, unë jam i kënaqur siç kur në verë, Ati antik dhe i shenjtë tund me një dorë të qetë, përmes reve të plumbta, vetëtima që bekojnë. Sepse midis gjithçkaje që unë mund të shoh nga Zoti, kjo shenjë është kthyer shenja ime e preferuar. Dikur, unë mund të ngazëllëhesha nga një e vërtetë e re, nga një vizion i ri i atij që është përsipër dhe përreth nesh ; tani, unë kam frikë që të mos ndodhë me mua siç me plakun Tantala i cili mori nga zotat më shumë sesa ai nuk mund të treste. (V, 321.)
Poeti është i ekspozuar ndaj rrufeve të zotit. Kjo është ajo mbi të cilën flet kjo poemë të cilën ne duhet t’a njohim si poezia më e kulluar e thelbit të poezisë, dhe që fillon kështu :
Siç në ditë feste, kur një fshatar
Në mëngjes del për të parë fushën…
(IV, 151)
Në strofën e fundit të kësaj poezie thuhet kështu :
Megjithatë neve n’a takon, nën furtunat e Zotit,
O poetë ! për të qëndruar në këmbë kokën lart,
Me vetë dorën tonë, për të kapur vetëtimën e Atit,
Dhe për t’ia zgjatur popullit
Dhuratën qiellore të mbështjellur në Himn.
Dhe një vit më vonë, ndërsa Hölderlini, i goditur nga çmenduria, është rikthyer tek nëna e tij, ja çka i shkruan ai të njëjtit mik, duke sjellur kujtime nga qëndrimi i tij në Francë :
Elementi i dhunshëm, zjarri i qiellit dhe heshtja e njerëzve, jeta e tyre në natyrë, kufizimi dhe kënaqësia e tyre, më kanë munduar papushim, dhe ashtu siç e përsërisim shpesh mbi heronjtë, unë mund të të them fare mirë se Apolloni më ka goditur dhe mua. (V, 327).
Kthjelltësia tepër verbuese e ka hedhur poetin nëpër terre. A kemi nevojë akoma për dëshmi të tjera për të provuar rrezikun suprem të « punës » së tij ? Fati që qe rreptësisht i tiji thotë gjithçka. Fjala që ne e gjejmë në Empedokli të Hölderlinit tingëllon si një paralajmërim :
…ai duhet
Në kohë të niset, ai nga i cili Mendja ka folur.
(III, 154)
E megjithatë : poezia është « më e pafajshmja ndër të gjitha punët ». Hölderlini e shkruan këtë në letrën e tij, jo vetëm për të qetësuar nënën e vet, por sepse ai e di që kjo anë e jashtme dhe paqësore i përket thelbit të poezisë, njëlloj siç lugina bën pjesë në malin ; sepse kjo vepër, e rrezikshme ndër të gjitha, qysh do të ishte ajo për t’u punuar dhe ruajtur, nëse poeti nuk do të ishte « i hedhur jashtë » (Empedokli, III, 191) së zakonshmes së ditës, dhe i mbrojtur kundër kësaj të zakonshme nga dukja paqësore që paraqet puna e tij ?
Poezia ka pamjen e një loje dhe megjithatë ajo nuk është një e tillë. Loja i mbledh me të vërtetë njerëzit, por në të tillë mënyrë që secili harron aty pikërisht veten e vet. Në poezinë përkundrazi, njeriu është i përqëndruar mbi thellësinë e qenies-aty të tij. Ai hyn aty në qetësinë ; aspak, është e vërtetë kjo, në qetësinë e rreme të inaktivitetit dhe të zbrazëtisë së mendimit, por në atë qetësi të pafundme në të cilën të gjitha energjitë dhe të gjitha relacionet janë në aktivitet. (Shiko letrën e Hölderlinit ndaj vëllait të vet, të datës 1 janar 1799, III, 368)
Poezia zgjon shfaqjen e ireales dhe të ëndrrës përballë realitetit të zhurmshëm dhe të prekshëm në të cilin ne e besojmë veten në shtëpinë tonë. E megjithatë, është reale, përkundrazi, vetëm ajo çka poeti thotë dhe ajo çka ai merr përsipër të jetë. Kështu e rrëfen këtë Panthea e Empedoklit, në dijeninë e saj prej mikeshe (III, 78) :
…Të jesh ai vetë, kjo është
Jeta, dhe ne të tjerët nuk jemi gjë tjetër veçse ëndrra –
Kështu thelbi i poezisë duket të luhatet në vetë shfaqjen e aspektit të tij të jashtëm, e megjithatë ai është i fortë dhe i patundur. Kaq mirë saqë, nëse në thelbin e saj poezia është themelim, kjo do të thotë : pozicion i një baze të qëndrueshme dhe të fortë (Gründung).
Sigurisht, çdo themelim mbetet një dhurim i lirë, dhe Hölderlin ka thënien : « Jini të lirë, poetë, siç dallëndyshet. » (IV, 168) Por kjo liri nuk është një arbitrare e shfrenuar dhe as një dëshirë tekanjoze ; ajo është një nevojshmëri superiore.
Poezia, e tillë si themelim i qenies, është dyfish e lidhur. Vetëm duke vështruar këtë ligj i cili është krejtësisht intim për të, ne do të mbërthejmë më në fund plotësisht thelbin e saj.
Të poematizosh, ky është emërtimi zanafillor i zotave. Por fjala poïétike nuk e zotëron ndryshe forcën e saj emërtuese përveç nëse vetë zotat janë ato të cilët n’a shtyjnë për të folur. Qysh flasin zotat ?
…dhe shenjat janë
qysh prej thellësive të kohëve gjuha e zotave.
(IV, 135)
Të thënurit e poetit konsiston për atë vetë në të kapurit e këtyre shenjave, me qëllim për të bërë pastaj shenjë ndaj popullit të tij. Kjo kapje shenjash është një marrje, por në të njëjtën kohë dhe një dhuratë e re ; sepse në « shenjën e parë » poeti shquan tashmë dhe Të Kryerën, dhe vë me guxim në fjalën e tij atë çka ai ka parë, për të parathënë Akoma-të-pakryerën. Kështu
Mendja e harbuar merr fluturimin e saj si shqipja
Drejt stuhive, duke profetizuar,
Duke u dalur përpara zotave të saj në ardhje.
(IV, 135)
Themelimi i qenies është i lidhur me shenjat e zotave. Dhe në të njëjtën kohë fjala poetike nuk është gjë tjetër përveçse interpretimi i « zërit të popullit » (Stimme des Volkes). Me këtë emër Hölderlini quan legjendat, « thëniet e moçme », në të cilat një popull shtie në kujtesë përkatësinë e tij ndaj qënies në tërësinë e saj. Shpesh ky zë hesht dhe shuhet në vetvete. Ai nuk është i aftë në përgjithësi për të thënë nga vetvetja autentiken, ai ka nevojë për ato që e interpretojnë këtë autentike. Dy redaktime n’a janë ruajtur nga poema që ka për titull Zëri i popullit. Janë sidomos strofat e fundit ato që ndryshojnë ; megjithatë ato plotësojnë njëra-tjetrën. Ja konkluzioni sipas redaktimit të parë :
Ngaqë i përshpirtshëm është kjo që nga dashuria për Qiellorët
Unë nderoj zërin e popullit, zë i qetë.
Megjithatë, që për dashurinë e zotave dhe të njerëzve
Ai të mos kënaqet aspak në prehjen e tij !
(IV, 141)
Ja redaktimi i dytë :
…Dhe sigurisht
Të mira janë legjendat, sepse ato janë një përmendore
Ndaj Tepër-të-Lartës, megjithatë duhet
Një që të interpretojë legjendat e shenjta.
(IV, 144)
Kështu thelbi i poezisë gjendet i përfshirë në këto ligje përpjekja e së cilave është divergjencë dhe konvergjencë, dhe të cilat drejtojnë shenjat e zotave dhe zërin e popullit. Përsa i përket poetit, ai mbahet në mes ndërmjet zotave dhe popullit. Ai është i flakur jashtë – jashtë në këtë ndërmjet-dy, ndërmjet zotave dhe njerëzve. Por është në rradhë të parë dhe vetëm e vetëm në këtë ndërmjet-dy kjo që vendoset kush është njeriu dhe ku është e ulur qenia-aty e tij. « Është poetikisht kjo që njeriu banon mbi këtë tokë. »
Papushim, me një siguri dhe një thjeshtësi gjithmonë në rritje, duke u ushqyer në një thesar përplot imazhe, Hölderlini i ka kushtuar fjalën e tij poïétike këtij rajoni të ndërmjet-dysë. Dhe kjo është ajo çka n’a detyron për të thënë që ai është poeti i poetit. A do të çmojmë akoma ne tani që Hölderlini mbetet rob i mahnitjes së tij të vet, rob i një admirimi të shfrenuar dhe të zbrazët që pasqyron vetveten ngaqë ai do të ishte i ndrydhur nga plotësia e botës ? A nuk pranojmë ne përkundrazi që mendimi poïétik i këtij poeti ngjeshet nën një shtytje të papërballueshme, deri në themel dhe zemër të qenies ? Është ndaj vetë Hölderlinit kjo që aplikohet fjala që ai shqipton në lidhje me Edipin në poemën e vonshme : Në blu të adhurueshme lulëzon… :
Mbreti Edip ka
Ndoshta një sy tepër.
(VI, 26)
Hölderlini poematizon thelbin e poezisë, por aspak në kuptimin e një koncepti i cili do të merrte një vlerë të përjetshme. Ky thelb i poezisë i përket një kohe të caktuar. Aspak që ai të kthehet thjesht në përputhje me këtë kohë njëlloj sikur kjo kohë të ishte tashmë përpara tij. Por duke themeluar përsëri thelbin e poezisë, Hölderlini fillon së përcaktuari kështu një kohë të re. Kjo është koha e zotave të ikur dhe e zotit që do të vijë. Kjo është koha e pikëllimit, sepse kjo kohë është e shënuar nga një mungesë dhe mohim i dyfishtë : nga « jo më » e zotave të ikur dhe nga « jo akoma » e zotit që do të vijë.
Thelbi i poezisë, atë të cilin themelon Hölderlini, është historial në shkallën më të lartë, sepse ai paralajmëron një kohë historiale ; por i tillë si thelb historial, ai është i vetmi thelb thelbësor.
Kohë e pikëllimit, dhe ja përse tejet i pasur është poeti i saj – aq i pasur saqë shpesh ai do të donte të mpihej në mendimin e atyre që qenë dhe në pritjen e atij që do të vijë, të përgjumej thjesht në këtë boshësi të dukshme. Por ai mbahet palëkundur në Hiçin e kësaj nate. Këmbëngulës në vetvete siç i veçuari suprem të cilin e individualizon destinacioni i tij i vet, poeti punon të vërtetën për popullin e tij duke e paraqitur atë, dhe që këtej punon në të vërtetë. Kjo është ajo çka të cilën shpall strofa e shtatë e elegjisë Bukë dhe verë (IV, 123). Ajo është thënia poetike e asaj që nuk ka mundur për të qenë ekspozuar ndryshe këtu përveçse nga mendimi.
Por, mik ! ne vijmë tepër vonë. Sigurisht, zotat jetojnë,
Por përsipër kokës sonë, në një tjetër botë.
Pa qëllim ato jetojnë atje, dhe duken pak të vëmendshëm
Ndaj faktit që ne të jetojmë, kaq Qiellorët n’a trajtojnë.
Ngaqë një enë e brishtë nuk mundet gjithmonë t’i përmbajë ato,
Veçse për momente, njeriu mbart plotësinë hyjnore ;
Një ëndërr e këtyre momenteve, ja pra jeta. Por gabimi,
Siç një dremitje, është një ndihmë ; janë pikëllimi dhe nata ato që të kthejnë të fortë,
Derisa heronj të rritur mjaft në djepin e bronztë
Të jenë zemra, siç dikur, të ngjashëm në forcë me Qiellorët.
Dhe me shkrepëtima ato do t’ia behin. Në pritje shpesh më duket
Që të flesh do të ishte më mirë sesa të jesh pa shok
Dhe të këmbëngulësh kështu ; E ç’të bësh në pritje, e ç’të thuash,
Unë nuk e di ; dhe për çfarë duhen poetët në një kohë pikëllimi ?
Por ato janë, thua ti, siç priftërit e shenjtë të Dionysos,
Që nga vendi në vend endeshin në Natën e shenjtë.
a Tantal : si bir i Zeusit, ai kthehet i preferuari i zotave të cilët e ftojnë shpesh në tavolinën e tyre. Ai është i vetmi hero që mund të shijojë ushqimin e zotave por, nga vesi apo nga ligësia, ai vjedh nektarin e tyre për t’ua dhënë të vdekshmëve. Tantali dënohet për të qenë i munduar nga etja dhe uria përsipër një liqeni të cilin ai nuk mundet t’a arrijë. (Shënim i përkthimit shqip, U. N. )
bravenet.com