Termi Dasein
Ky term është një term kyç i filozofisë heideggeriane. Nqs duhet filluar të studiohet Heidegger, është e domosdoshme që ky studim të fillojë nga vepra e tij e madhe « Qenie dhe Kohë ». Aty duhet bërë kujdes të kapet sa më mirë ky term Dasein i cili në të gjitha përkthimet e Heidegger mbahet ashtu siç është. Edhe shqipja nuk duhet të ngulmojë për të përkthyer çdo term të tij, sepse ka terma që janë të papërkthyeshëm dhe që duhen lexuar ashtu siç ato janë në gjuhën origjinale. Kur helenisti Wolfgang Schadewaldt, asokohe koleg i Heidegger në Universitetin e Friburg, e pyeti Jean Beaufret-në [miku më i ngushtë i Heideggerit, një filozof i ri francez (1907-1982) i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi leximit dhe interpretimit të Heidegger], se si e përkthente ai termin Dasein, ai u përgjigj : « Nuk e përkthej fare » ; dhe helenisti përgjigjet : « Në thelb, ju keni të drejtë, ka fjalë të papërkthyeshme, për shembull logos ose tao… » Dasein është pra një term i papërkthyeshëm.
Le të japim tani një shpjegim të këtij termi :
Ky term në gjermanishten klasike përshkruan ekzistencën, por tek Heideggeri ai përshkruan këtë qënie shembullore, e cila duke patur për të qenë, ka një nxënie të qenies. Me nxënie, unë përkthej termin frëngjisht comprehension, që rëndom e kam parë të përkthyer kuptim. Në fakt, ajo ka pothuajse të njëjtin kuptim me këtë term të fundit, por fjala kuptim përdoret dhe për të përkthyer termin tjetër frëngjisht sens. Pra, këtu duhet dalluar kjo situatë : kur themi për shembull kuptimi i qenies, një vesh i mësuar me përkthimet e deritanishme mund të kuptojë që ne kemi kapur qenien në atë që është, duke e marrë këtë fjalë kuptim si përkthim të fjalës comprehension. Por jo ! Këtu ne e kemi fjalën për termin tjetër, termin sens, dmth kuptimin që ka kjo qenie. Pra, në rastin e parë, kemi nxënien e qenies, dhe në të dytin kuptimin e qenies. Në të gjitha përkthimet e mia, unë i jam përmbajtur kësaj linje : comprehension – nxënie, dhe sens – kuptim.
Por le të kthehemi tek termi ynë. Dasein-i nuk është aq njeriu sa ç’është aty-hi në të cilin njeriu rri i tillë si destinues i qenies. Duke qenë se Dasein përkthehet rëndom ekzistencë, atëherë ka ndodhur kjo që në fillimet e para të përkthimeve franceze të Heideggerit (për shembull nga Henry Corbin, megjithëse mjaft i respektuar në fushën e përkthimit) përdorej termi « ekzistencë-njerëzore », dmth një përpjekje e sforcuar për ta dalluar nga ekzistenca e pastër dhe e thjeshtë. Më vonë është parë që ky përkthim nuk përshtatet me atë çka nënkupton Heidegger. Filozofia e tij është quajtur ekzistencialiste. Kjo do të ishte të mosnjohësh aq sa duhet filozofinë e tij. Të futësh Heidegger dhe Sartre në një linjë mendimi, kjo është të mos kesh kuptuar fare atë çka ngjet në filozofinë heideggeriane. Madje në lidhje me vetë mendimin e Heideggerit mbi këtë çështje, ne do të sjellim këtu të plotë një letër të Heidegger adresuar Beaufret-së, në vitin 1945. Por kjo do të bëhet në një shkrim të ardhshëm.
Heidegger prishet me përkufizimin tradicional të thelbit të njeriut si kafshë racionale, si dhe me çdo problematikë të një natyre njerëzore. Dasein-i është ajo qënie e cila ka për të qenë dhe ku thelbi i së cilës nuk është asgjë tjetër përveçse të ekzistuarit si i tillë që ai është një projekt i hedhur. Duke mos qenë një subjekt i shkëputur nga bota, ai përcaktohet si qenie-ndaj-botës. Ky term qenie-ndaj-botës duhet kuptuar mirë. Parafjala « ndaj » ka kuptimin e përkatësisë, dmth njeriu është në botë, por jo thjesht si një e përmbajtur në një përmbajtëse, por me një raport ndaj saj. Ai i përket botës, dhe jo është në-botë. Kjo qenie-ndaj-botës përkufizon konstituimin themelor të kësaj qënie e cila, duke e kuptuar veten në qenien e saj, vihet në lidhje me këtë qenie. Ekzistencialët (këtij termi do t’i kthehemi një herë tjetër, ku do të dallohen termat ekzistencial dhe ekzistenciel) fillestarë, të cilët përcaktojnë konstituimin ontologjik të Dasein-it, janë nxënia, qenia-e-hedhur dhe rrëzimi. Këtu nuk bëhet fjalë aq për thelbin e kësaj qënie, pasiqë thelbi i saj është ekzistenca, por të diturit kush është Dasein-i ? Mirëpo, në pamje të parë dhe më shpesh, ai nuk është vetvetja, por Dikushi i përditshmërisë mediokre dhe të rënë. Në fakt, Dasein-i nuk është i veçuar, por me të tjerët, i tillë si qenie-aty-me në një botë që është një botë rrethuese dhe e përbashkët. Duke u identifikuar me këtë botë të preokupimit, Dasein-i nuk është vetja e tij, por ekziston nën diktaturën e Dikushit. Nëse ekzistencialiteti karakterizohet nisur nga këto ekzistencialë që janë afeksioni, nxënia dhe diskutimi, mënyrat e rëna të diskutimit dhe të nxënies janë llomotitja, kureshtja dhe ekuivokja (dykuptimësia). Angushtia është atëherë kundër-lëvizja e cila e shkëput Dasein-in nga rrëzimi dhe ia zbulon atij qenien e vet si merak, si qenie përpara vetes. Qenia-e-hedhur, ose faktësia, dhe projekti, ose ekzistencialiteti, janë kështu struktura të merakut.
Këto janë pak a shumë disa ftillime të termit Dasein. Natyrisht që Dasein-i mund të kuptohet vetëm gjatë leximit të Qenie dhe Kohë. Këtu nuk kemi futur konceptin kohë dhe lidhjen e Dasein-it me të. Kjo do të bëhet mundësisht në shkrime të ardhshme. Të gjitha termat e theksuara në këtë shkrim do të sqarohen më hollësisht në shkrimin pasardhës.
bravenet.com