Shpjegime termash
Afeksioni (gjerm. Befindlichkeit ; frëngj. disposition [F. Vezin], affection [E. Martineau]) – Afeksioni është mënyra e mirëfilltë (e pastër) sipas së cilës Dasein-i « gjen vetveten », vjen tek vetvetja (sich befinden). Jo në formën e një konstatimi teorik, por në një ndjesi. « Afeksioni » është eksperienca e faktësisë*, e të-qenurit-i-hedhur të Dasein-it – ai e ekspozon këtë të fundit ndaj botës në tërësi (në zemër të qënies në tërësi), dhe, nga këtej, konstituon prekshmërinë e tij themelore nga qënia ndërbotësore*, çdo herë në një ndjesi të veçantë. Sidoqoftë, këto trajta të afeksionit dalin si të tilla veçse në një « ndjesi themelore » - angushtia, për shembull. Në të shumtën e kohës, ndjesia ka të bëjë me faktësinë dhe me madhësinë e botës duke iu shmangur asaj.
Angushtia (gjerm. Angst ; frëngj. angoisse) – Angushtia (dhe jo ankthi me të cilin në shqip kuptojmë ankthin e natës, në frëngj. cauchemar) është një ndjenjë* themelore. Për Dasein-in e angushtuar, dërgimet domethënëse të përditshme (edhe kjo shprehje do të shpjegohet në një shkrim të ardhshëm) nisur nga të cilat ai është gjithmonë-tashmë i kuptuar bien në padomethënësi. Ai nuk mundet më për ta kuptuar veten nisur nga horizonti ndërbotësor i preokupimit të tij dhe as nisur nga qenia-e-shpjeguar-publike. Nga këtej, ai gjendet i veçuar, i sjellur në qenien-ndaj-botës të tij, qenie lakuriqe dhe e zhveshur, në çudinë shqetësuese, në huajësinë. Bota si botë, si e mundshme për të ekzistuar vjen atëherë për të shndritur. Ose : ajo çka i jepet Dasein-it të angushtuar, ky është hiçi si asgjë prej qënie. I angushtuar, Dasein-i përmbush shkoqur qenien-transhendente të tij.
Dikushi (gjerm. Man ; frëngj. on) – Përditshmërisht, unë jam ai çka jemi (vini re këtu formën e shqipes që nuk përdor përemër të pacaktuar, por ai nënkuptohet, dmth unë jam ai çka dikush është). « Dikush » përshkruan vetëqenësinë* e papastër*.
Diskutimi (gjerm. Rede ; frëngj. discours) – Diskutimi shqipton zanafillisht qenien-ndaj-botës të kuptuar dhe të ndjerë. Dasein-i është diskutimisht në botë : gjithmonë sipas kësaj apo asaj mënyre praktike, Dasein-i shprehet, komunikon, thotë diçka në lidhje me diçka. Kjo diskutimësi tejkalon nga të gjitha anët thënien e thjeshtë parashtruese : mënyra e papastër e diskutimit është llomotitja* - mënyra e pastër (e mirëfilltë) është thirrja që hesht.
Ekuivokja (gjerm. Zweideutigkeit ; frëngj. equivoque) – Me llomotitjen dhe kureshtjen, ekuivokja formon trajtën e tretë të rrëzimit, si lëvizje në të cilën është futur Dasein-i. Ekuivokja (dykuptimësia) është mënyra e papastër e zbërthimit (shkoqitjes). Unë gjej tashmë aty një horizont të shpjeguar (zbërthyer, shkoqitur) publik i cili vë në vend një horizont evidence që rimerr në vete çdo nxënie. Ekuivokja është luhatja, duke u ngulur në pamundësinë për të vendosur çfarëdoqoftë, ndërmjet të pastërtës dhe së papastërtës, kjo është drita ekuivoke e qenies-së-shpjeguar-publike.
Ekzistencial (gjerm. Existenzial ; frëngj. Existential) – Të bësh ontologjinë e kësaj qënie që ekziston, Dasein-it, kjo është të nxjerrësh në dritë struktura a priori të qenies së tij, ekzistencës, pra të nxjerrësh ekzistencialë. Të kuptuarit*, afeksioni*, etj, janë ekzistencialë.
Ekzistenciel (gjerm. Existenziell ; frëngj. Existenciel) – Duke ekzistuar, Dasein-i është në synim të vetvetes, duhet të marrë në dorë atë kush është ai. Kjo është çështja e tij ekzistenciele (dhe jo ekzistenciale, duhet bërë kujdes këtu !).
Existencë (gjerm. Existenz ; frëngj. Existence) : (nga latinishtja existere, sistere, rrjedhur nga stare : « të qëndrosh në këmbë ») – Ekzistenca është mënyra e mirëfilltë e të qenurit të Dasein-it. Sendet apo Zoti « janë », por nuk ekzistojnë. Sidoqoftë, Dasein-i është i tillë si ekzistencë, dmth që ai ka për ta qenë atë, për ta mbështetur këtë ekzistencë si një të mundshme të vetes së tij.
Huajësi (gjerm. Unheimlichkeit ; frëngj. etrangèreté) – Dasein-i është i hedhur në një botë. Ai mësohet aty, ai banon në botë. Por ai mund të jetë i nxjerrë nga ky zakon, nga tek-vetja : në angushtinë, kjo e fundit përballet me të çuditshmen dhe shqetësuesen : të paturit për të marrë përsipër nisur nga vetja një faktësi të padorëheqshme.
Kqyrja (gjerm. Umsicht ; frëngj. circonspection) – Kqyrja është vështrimi i përshtatshëm ndaj preokupimit, pamje para-teorike që ndriçon kontekstin e asaj çka është për tu bërë. Kam zgjedhur këtë term për ta dalluar atë nga vështrimi i ngulitur, vrojtimi, vëzhgimi, apo shikimi. Kjo kqyrje duhet kuptuar siç kur rrotullojmë sytë rreth e përqark për të parë shpejt e shpejt ç’duhet bërë. Kqyrja nuk duhet kuptuar si një vështrim i mirëfilltë i ngulitur mbi diçka.
Kureshtja (gjerm. Neugier ; frëngj. curiosité) - Kureshtar, Dasein-i dëshiron të shohë vetëm për të parë. Bota* kthehet spektakël që parakalon para syve tanë. Kureshtja është një mënyrë privuese e kqyrjes* (term tejet i rëndësishëm që do të shpjegohet në një shkrim tjetër), në të cilën (pra në kureshtjen) rrënjoset privilegji filozofik tradicional i të shikuarit të thjeshtë teorik.
Llomotitja (gjerm. Gerede ; frëngj. bavardage) – Mënyrë e papastër e diskutimit, ku poli i komunikimit bëhet mbizotërues (dmth ai flet dhe jo ajo që ai flet). Të thuash, kjo është gjithmonë tashmë të ri-thuash nisur nga ajo që është thënë tashmë, dhe kjo pengon nxënien reale të asaj mbi të cilën flitet.
Meraku (gjerm. Sorge ; frëngj. souci) – Meraku është qenia e plotë e Dasein-it : të jesh përpara vetes (projekt), tashmë në një botë (faktësi), pranë qënies ndërbotësore (preokupim). Kushti i mundësisë së merakut është kohësia.
Ndërgjegja (gjerm. Gewissen ; frëngj. conscience) – Ndërgjegja jep për të kuptuar duke e hapur Dasein-in ndaj vetvetes. Qysh ? Duke e thirrur atë heshturazi. Dmth ? Duke e shkëputur atë nga llomotitja në të cilën është hedhur Dasein-i. Ndërgjegja hedh në mundësinë për të qenë vetvetja.
Nxënia (gjerm. Verständnis ; frëngj. Comprehension) – Dasein-i është i hapur ndaj vetvetes si qëllimi i tij i mirëfilltë. Kjo përmasë e dyfishtë, hapje dhe « qëllim i fundit », është në fakt veçse një : Dasein-i e kupton vetveten, pra ka një nxënie të vetvetes, hapja është projekt, të-mundur-për-të-qenë.
Përditshmëria (gjerm. Alltäglichkeit ; frëngj. quotidienneté) – Mënyrë të qenuri sipas së cilës ne jemi « në pamje të parë dhe më shpesh », në indiferencën (shpërfilljen, padallimësinë) mediokre të të ekzistuarit.
Preokupim (gjerm. Besorge ; frëngj. préoccupation) – Mënyrë e përditshme e të qenurit të Dasein-it sipas së cilës ai gjendet gjithmonë-tashmë i shpërndarë në një larmi detyrash (punësh, hallesh).
Qenia-e-hedhur (gjerm. Geworfenheit ; frëngj. être-jeté) – Dasein-i është i hedhur në botë. Kjo karakterizon faktësinë e tij si « lëvizje ». Qenia-e-hedhur nuk është një të prejardhur nga një origjinë e lartë, as shenja e një destinacioni tjetër. Përkundrazi : qenia-e-hedhur shfaqet në mbylljen e këtyre dy përmasave, të cilat mund të marrin kuptim veçse duke marrë përsipër qenien-e-hedhur të parë.
Qenie-Aty-me (gjerm. Mitdasein ; frëngj. être-Là-avec) – Takimi me tjetrin bëhet siç me një Dasein tjetër që jemi dhe jo siç me nje send aty përballë. Tjetri është një qenie-aty (dmth një Dasein) dhe njëkohësisht një qenie-Aty-me, pra me këtë term do të kuptojmë qenien-në-vete ndërbotësore të të tjerëve.
Qenie-me (gjerm. Mitsein ; frëngj. être-avec) – Dasein-i është zanafillisht me tjetrin. Qenia-me është lidhja me tjetrin : vëmendje. Kjo vëmendje mënyrëzohet sipas së papastërtës dhe së pastërtës : vëmendje zëvendësuese-sunduese, vëmendje parakaluese-çliruese (këto dy terma të fundit do të sqarohen më vonë, por dhe gjatë leximit të veprës).
Qenie-ndaj-botës (gjerm. In-der-Welt-Sein ; frëngj. être-au-monde) – Dasein-i nuk është në formën e një subjektiviteti të vetëdijshëm mbi veten dhe mbi botën si përfytyrimi i tij. Ai jepet përkundrazi si zanafillisht ndaj botës. Qenia-ndaj-botës është madje vetë emri i transhendencës së mirëfilltë të Dasein-it, i cili është pranë sendeve, tjetrit dhe vetvetes vetëm duke u mbajtur tashmë përtej, duke e mbështetur botën si hapje*.
Qenie-në-dorë (gjerm. Vorhandenheit ; frëngj. être-sous-la-main) – Karakter ontologjik i « gjërave, sendeve », i qënies ndërbotësore ashtu siç ajo paraqitet ndaj vështrimit teorik dhe mundet për të qenë thënë. Qenia-në-dorë është interpretimi ekzistencial i kuptimit të qenies që mbizotëron njëanshmërisht në tërë traditën filozofike : kuptimi « substancial », kuptimi kohor i të cilit, i papyetur nga tradita, është vazhdimësia në praninë. Qenia-në-dorë duhet kuptuar në shqip si qenia e një diçkaje aty përballë. Të gjitha qëniet janë të tilla por ka disa ndër to që janë diçka dhe më tepër. Ato janë qenie-në-largësinë-e-dorës.
Qenie-në-largësinë-e-dorës (gjerm. Zuhandenheit ; frëngj. être-à-portée-de-la-main) : Qenia-në-largësinë-e-dorës është karakteri ontologjik i veglës. Gjërat (sendet) nuk janë, për neve, pikërisht së pari « gjëra » (të qëndrueshme), por ato shfaqen, nisur nga bota si tërësi dërgimesh domethënëse, si « në-largësinë-e-dorës ». Pra qënia-në-largësinë-e-dorës (vegla) është diçka më tepër sesa një qënie-në-dorë, madje ky karakter të qenuri në-largësinë-e-dorës del në pah përpara karakterit të të qenurit në-dorë, dmth aty përballë. Ajo është diçka me të cilën vendosim një marrëdhënie.
Qenie-pranë (gjerm. Sein-bei ; frëngj. être-auprès) – mbi themelin e qenies-ndaj-botës të tij, Dasein-i, nga gjiri i preokupimit të tij kqyrës, është pranë gjërave me të cilat ai merret, dhe më e shpeshta interpretohet ai vetë nisur nga kjo ndenje pranë gjërave.
Rrëzimi (gjerm. Verfallen ; frëngj. déchéance [F. Vezin] dhe échéance [E. Martineau]) - I hedhur në botë, Dasein-i është gjithmonë tashmë i kuptuar nisur nga sendet e botës dhe nga qenia-e-shpjeguar-publike e tyre të cilat i caktojnë atij atë çka, për të qenë, ai duhet të bëjë. I rrëzuar, Dasein-i e kupton veten në mënyrën e papastërtisë*, ai shmanget nga vetvetja. Në përkthimin shqip, unë kam zgjedhur këtë term « rrëzim » duke patur parasysh situatën e rrëzimit të mbretit, kur ai nuk është më vetvetja, është zhveshur nga vetja e vet.
Vegla (gjerm. Zeug ; frëngj. outil) – Qënia shfaqet së pari, gjatë përdorimit kqyrës, si vegël, duke dërguar tek një kontekst botësor – dhe pikërisht jo së pari si… objekt për një përcaktim teorik. Qenia e veglës është qenia-në-largësinë-e-dorës.
Vëmendje (gjerm. Fürsorge ; frëngj. sollicitude) – Vëmendja është raporti me tjetrin, mënyra e të qenurit me tjetrin. Kam zgjedhur këtë term vëmendje sepse në kuptimin kur përkujdesemi mbi dikë, jemi të afërt, ne jemi gjithmonë të vëmendshëm ndaj tjetrit i cili kërkon përkujdesjen tonë. Vini re gjermanishten Fürsorge që formohet nga für (për) dhe sorge (merak). Për-merak nuk është njëlloj me merak siç do ta shohim pak më poshtë në shpjegimin e termit merak, i cili lidhet me diçka krejt tjetër. Por, termi vëmendje është etikisht asnjanës, dhe mënyrëzohet sipas drejtimesh « etike » të mbërthyera nisur nga mënyrëzimi në të pastër-papastër.
Zbulim (gjerm. Entdeckheit ; frëngj. decouverte) – Qënia ndërbotësore është e zbuluar mbi themelin e hapjes së Dasein-it si qenie-ndaj-botës. Ajo shfaqet si e tillë, në të vërtetën e saj. Termi Zbuluar thotë qenien-e-vërtetë të gjërave mbi themelin e së vërtetës si hapje e Dasein-it.
bravenet.com