untitled

Dasein-i është njëkohësisht njeriu dhe hapja e cila karakterizon njeriun, ky i fundit duke qenë i konstituar nga kjo hapje.

Zakonisht, fjala Dasein shqiptohet DAsein, por në shqiptimin e Heideggerit theksi kalon nga Da tek sein, dhe jep DaSEIN. Çka tani jep nga « qenie-aty » në « qenie-e-aty-hit ».

Shtjellime të Dasein

 

Duke qenë se termi Dasein është një term kyç i filozofisë heideggeriane, le të mundohemi të hyjmë edhe më tej në shqyrtimin e tij. Kjo ngaqë shpjegimi i dhënë në shkrimin tonë « Termi Dasein » ishte vetëm një përmbledhje e shkurtër e këtij koncepti.

Heidegger, në Qenie dhe Kohë, ndërmerr studimin e Dasein-it duke shqyrtuar paraprakisht mënyrën e shtrimit të çështjes së kuptimit të qenies. Çdo çështje shpaloset ndërmjet tre polesh : ajo që pyetësojmë, e pyetësuara ; ajo çka kërkojmë në lidhje me të, e kërkuara ; dhe ajo të cilën pyesim për të marrë, në lidhje me të pyetësuarën, të kërkuarën, e pyetura. Një shembull : nëse unë dua të di çmimin (e kërkuara) e bukës (e pyetësuara në drejtim të vlerës së saj të shitjes), unë pyes shitësen (e pyetura). Por kush do të na përgjigjet neve mbi kuptimin e qenies ?

Qielli, tavolina, neve vetë jemi. Këtu kemi qënie. Qenie : ajo nisur nga e cila qënia është si e tillë. Qenia është qenie e qënies. Të kërkosh ç’do të thotë qenie, kjo do të ishte të pyesësh qënien në lidhje me qenien e saj. Por cilën qënie të pyesim ? A ka ndonjë qënie ndër të tjerat që të ofrohet për ta pyetur në lidhje me qenien e saj ? Heidegger shkruan : « Këtë qënie që ne jemi çdo herë vetë neve dhe që ka ndër të tjera mundësinë thelbësore të të pyetësuarit, ne e mbërthejmë terminologjikisht si Dasein ».

Por kush është Dasein-i ? Qenie dhe Kohë është libri i madh i Dasein-it. Dasein, në leksikun filozofik gjerman, është një përkthim gjermanik i latinishtes existentia. Psh kur Kant flet për « ekzistencën e Zotit », « Dasein des Gottes ». Në frëngjisht mund të sillet më së miri duke e kalkuar në « qenie-aty », e cila nënkupton pothuaj ekzistencën empirike të konstatueshme. Mirëpo, Heidegger i jap kësaj fjale një kuptim krejt tjetër, sepse mënyra e të qenurit të Dasein-it, ajo çka do të thotë qenie për të, e dallon pikërisht atë nga kuptimi « ekzistencë », « qenie-aty » (sillni ndërmend vërejtjen që kemi bërë që nuk duhet ngatërruar aspak filozofia heideggeriane me atë të Sartre i cili e merr njeriun si ekzistencë të pastër). Si mund të bëhet kjo ? Duke e dëgjuar atë në mënyrën kalimtare, duke kuptuar që për këtë qënie, bëhet fjalë për të qenë, për të paturit për ta qenë Aty-hin e saj, hapjen e saj të mirëfilltë ndaj vetvetes. Heidegger propozon për përkthimin frëngjisht, në një letër drejtuar Jean Beaufret-së, termin « être-le-là » (qenie-e-aty-hit), duke theksuar « Në një frëngjishte padyshim të pamundur ».

Por ç’nënkupton Dasein ? Dasein-i është ajo qënie e cila ka të bëjë me qenien. Por Dasein-i është – vetë neve, çdo herë. Dhe pikërisht, ne jemi vetëm për aq sa jemi në lidhje me qenien. Ose më mirë : Dasein-i është dhe nuk është « njeriu ». Ai nuk është njeriu : Dasein-i lejon për t’i thjeshtuar të gjitha përkufizimet tradicionale të njeriut, kafshë e arsyeshme, trup-dhe-shpirt, subjekt, ndërgjegje, dhe për t’i pyetësuar ato nisur nga kjo trajtë e parë, raporti ndaj qenies. Ai është njeriu : ai nuk është « gjë tjetër » sesa njeriu, një tjetër qënie, bëhet fjalë për veten tonë, por vetë neve të menduar nisur nga raporti ndaj qenies, dmth ndaj qenies sonë të mirëfilltë, ndaj asaj të sendeve dhe të tjetrit. Dasein-i thotë humanitetin e njeriut si raport ndaj qenies. Qysh të kuptohet kjo ? Cila është mënyra e veçantë e të qenurit të Dasein-it ? Ekzistenca. Por kujdes ! Jo ekzistenca në kuptimin e realitetit. Ajo është një fjalë ontologjike (dmth në lidhje me qenien dhe jo me qënien). Vetëm Dasein-i ekziston. Shkëmbi, luga, apo Zoti, nuk ekzistojnë, çka nuk do të thotë që ato nuk janë, por sipas një mënyre tjetër të qenuri. Ç’do të thotë ekzistencë ? Heidegger thotë : « Dasein-i është një qënie e cila nuk mjaftohet për t’ia behur midis qëniesh të tjera. Ai zotëron më tepër privilegjin ontik (në rrafshin e qënies) të mëposhtëm : për këtë qënie, në qenien e saj bëhet fjalë për këtë qenie. Për rrjedhojë, i përket konstituimit të Dasein-it, të paturit, në qenien e tij, një raport të qenuri ndaj kësaj qenie ». Thënë ndryshe, Dasein-i, në qenien e tij, në mënyrën e tij të vet të të qenurit, vihet në lidhje me qenien e vet, dmth është i hapur ndaj vetvetes, e « kupton » vetveten, ka për të qenë (kujdes me këtë të fundit, të mos kuptohet në kohën e ardhshme që akoma nuk ka ndodhur, por si një veprim që Dasein-i e kryen në çdo kohë). Dasein-i ka këtë privilegj ontik (në rrafshin e qënies, që ka të bëjë me qënien) që ai është, nga vetvetja, ontologjik (në rrafshin e qenies, që ka të bëjë me qenien). Meqë ai ka gjithmonë një nxënie paraprake të qenies, atëherë themi që ai është « preontologjik ». Të jesh, në kuptimin e të ekzistosh, kjo është të mbahesh i angazhuar në një mundësi të vetvetes, që e kemi zgjedhur ose jo, në të tillë mënyrë që këtë mundësi, e kemi pikërisht, duke u vënë në lidhje me të, për ta qenë në kuptimin foljor dhe kalimtar. Mënyra konkrete e veçantë që më takon çdo herë, mua, është detyra ime ekzistenciele (dhe jo ekzistenciale, kujdes !). Mirëpo, të hetosh mbi strukturat e të qenurit të cilat bëjnë të mundur, a priori, ekzistencën konkrete, kjo është pikërisht të hetosh mbi ekzistencialitetin e ekzistencës. Të bësh ontologjinë e kësaj qënie, Dasein-it, i cili del përpara siç duke patur një raport ndaj qenies, kjo është të bësh një analitikë ekzistenciale.

 

 

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com