untitled
 
Sein und Zeit për Edmund Husserl, në shenjë nderimi dhe miqësie
 

Përmbledhje e "Qenie dhe Kohë"

 

Le të shohim nga një përmbledhje të shkurtër të veprave kryesore të tij, dhe sigurisht që këtu duhet filluar nga vepra madhore, kapitale, dhe ndoshta më e bukura në historinë e filozofisë (këtë nuk pushojmë së përsërituri, aq shumë është bërë ajo një referencë për të gjithë filozofët dhe studiuesit), Qenie dhe Kohë.

 

Heidegger ia dedikon këtë vepër profesorit të tij të madh dhe të nderuar, filozofit Edmund Husserl. Ka qenë vetë Husserl ai që ka këmbëngulur që Heidegger të zinte vendin e tij pas daljes në pension (1928). Dhe në faqen e parë të veprës së vet, Heidegger thotë : "Për Edmund Husserl, në shenjë nderimi dhe miqësie". Kur kjo vepër u ribotua pas ardhjes në fuqi të Hitlerit, censura nuk lejonte që të mbahej ky dedikim. E megjithatë Heidegger arriti të ruante një përmendje të Husserl (që siç dihet ishte me origjinë çifute) në faqen 38 të "Qenie dhe Kohë", çka duhet thënë që në atë kohë ishte gjë e rrallë.

Kjo vepër paraqitet si një ontologji fenomenologjike që rrënjoset në një hermeneutikë dhe një analitikë të ekzistencës me synimin e hapur për të përsëritur çështjen themeluese, por të harruar dhe të pamenduar, të metafizikës : çështja e kuptimit të qenies. Ontologjia themelore, duke dashur për të përmbushur detyrën paraprake të mësimit, detyrë e çdo pyetësimi ontologjik rrënjësor, angazhon edhe një herë një « vënie në çështje » të qënies së shquar e cila gëzon një parësi ontiko-ontologjike : ajo ka emrin Dasein, sepse ai dallohet në thelbin e tij nga « ekzistenca » e vet dhe në qenien e tij bëhet fjalë gjithmonë tashmë mbi vetë këtë qenie dhe mbi qenien e çdo qënie. Nga ku rrjedh detyra e trifishtë e analitikës ekzistenciale : për të vënë në dritë konstituimin ontologjik të Dasein-it dhe horizontin e kuptimit të qenies në të cilin kjo analitikë nënshkruhet duke sqaruar fillimisht strukturat themelore të qenies së tij si i tillë që ai përkufizohet si « qenie-ndaj-botës » (In-der-Welt-Sein) ; pastaj ta zbulojë këtë të fundit në kohësinë dhe historicitetin e saj ; së fundi për të treguar sesi mundet koha për të konstituar horizontin transhendental të kuptimit të qenies. Pjesa e parë e veprës, e vetmja që të jetë dukur, e kushtuar ndaj interpretimit të Dasein-it në perspektivën e kohësisë, ndahet në tre seksione : analiza themelore e Dasein-it që shërben për përgatitjen e seksionit të dytë, seksion i cili trajton Dasein-in dhe kohësinë dhe seksioni i tretë i pabotuar i cili do të duhej të bënte përmbysjen e problematikës nga Sein und Zeit Zeit und Sein. Sepse, meqë Dasein-i është në vetvete historik, çdo hetim ontologjik do të marrë pamjen e një « përsëritje » të historisë së ontologjisë, por nën formën e një « shkatërrimi » të eksperiencave origjinale dhe të paragjykimeve të fshehta të traditës ontologjike. Përsëritja e çështjes së qenies kalon kështu nga detyra e dyfishtë : e një ontologjie themelore të Dasein-it, dhe e shkatërrimit fenomenologjik të historisë së ontologjisë. Sein und Zeit nuk do ta kryejë këtë detyrë të dytë dhe për këtë arsye do të mbetet një vepër e papërfunduar.

Pasi të jetë shtruar parësia ontiko-ontologjike e çështjes së qenies, hyrja e veprës përkufizon metodën fenomenologjike të menduar në mënyrë origjinale dhe që del mbi një hermeneutikë për tu vënë në zbatim në ontologjinë themelore. Analiza përgatitore fillon nga të përshkruarit e strukturave themelore të Dasein-it në ekzistencën e tij të përditshme të rëndomtë (mediokre). Tashmë në familjaritet me Botën e tij, Dasein-i është pranë gjërave të preokupimeve të tij praktike, dhe me të Tjerët qenia e tij është « qenie-ndaj » (In-Sein) dhe « qenie-me » (Mit-sein). « Botësia e Botës » i takon Dasein-it si një karakteristikë ekzistenciale sepse Bota nuk është një hapësirë abstrakte apo një kozmos, por së pari Umwelt, Botë rrethuese e veglave të përkufizuara nga përdorimi i tyre praktik dhe Botë e gjërave (sendeve) të qëndrueshme të ofruara ndaj vështrimit teorik. Ajo është e konstituar si një « sistem dërgimesh » dhe domethënieje ku shpaloset ekzistenca e Dasein-it në preokupimin e tij praktik të përditshëm. Sepse qenie-ndaj-botës do të thotë parësisht qenie-pranë-qënies-ndërbotësore, qënie e cila është në-dorë (Zuhanden) dhe objekt i preokupimeve të kësaj qenie-ndaj-botës, do të thotë të jesh në vëmendje për të Tjerët dhe në merak të vetes. Në këtë kuptim Dasein-i ka për të qenë atë çka ai është duke marrë përsipër qenien-e-hedhur të tij ndaj Botës (Geworfenheit) si projekti i tij i të qenurit. E tillë është faktësia e Dasein-it që i është caktuar atij në të njëjtën kohë që ai është bashkë-zanafillisht ekzistencë, e cila ndërtohet sipas ekzistencialëve themelorë që janë të kuptuarit (Verstehen), të-mundurit-për-të-qenë dhe projekt më shumë sesa qëndrim pastërtisht teorik përballë Botës së objekteve, afeksioni (Befindlichkeit) dhe diskutimi (Rede). Të kuptuarit gjithmonë-tashmë-të-dhënë që konstituon « hapjen » (Erschlossenheit) e Dasein-it zbulon në të njëjtën kohë mënyrën e tij të të qenurit në të vërtetë pa të cilën asnjë qënie e Botës nuk mund të zbulohet ndaj tij.

Por, i tillë si In-Sein (qenie-ndaj-botës), ai është projekt dhe nga këtej gjithmonë tashmë « përpara vetes » në mundësitë e tij të të qenurit, krejt duke qenë i hedhur në qenien-tashmë në Botë pranë qënies ndërbotësore ; i përndjekur nga tundimi për të rënë ose për tu rrëzuar (Verfallen) në inautenticitetin e përditshëm dhe duke iu nënshtruar tiranisë ose diktaturës së « dikushit » anonim, Dasein-i në unitetin e larmishëm të qenies së tij është i prekur nga struktura themelore e merakut (Sorge). Në vendosmërinë në të cilën thërret ndërgjegja (Gewissen) duke i zbuluar atij mundësitë e veta gjithmonë faktike dhe të regjistruara nga qenia-në-situatë, është kjo që ndaj Dasein-it zbulohet pushteti-i-tij-për-të-qenë-vetja autentikisht. Por, i mbërthyer nga angushtia, tonalitet themelor i ekzistencës së tij, ai mëson që, larg së qenuri zot i qenies së vet, ai është i përcaktuar nga hiçi që është themeli i qenies së tij.

Mirëpo kuptimi ontologjik i merakut është kohësia. Kështu raporti ndërmjet « Dasein dhe kohësi » përbën objektin e seksionit të dytë. Çështja ngulet plotësisht në përcaktimin e Dasein-it si merak ku qenia-përpara-vetes përqafon veç kësaj pushtetin-e-tij-për-të-qenë-i-tëri, pushtet i cili hapet mbi qenien-për-fundin. Qenia-për-vdekjen (zum-Tode-sein), mundësi e skajshme dhe e paheqshme, është e vetmja e aftë për t’i zbuluar atij autenticitetin e qenies së vet. Pushteti-për-të-qenë që është më i mirëfillti për të, buron kështu nga pamundësia e fundit për të qenë duke dëshmuar këtu akoma që ekzistenca është e themeluar në faktësinë.

I tillë që ai është përpara vetes në Botë, Dasein-i është « qenie-për-të-ardhur » (Zukünftig-sein), përshpejtim i vdekjes por duke u rikthyer tek vetja dhe duke marrë përsipër vendosshmërisht « fajin » (Schuld) e qenies-së-tij-tashmë-pranë-Botës. Paradoksalisht, është në qenien-për-të-ardhur kjo që ai rikthehet në « të-paturit-qenë » (Gewesenheit) të tij ; dhe vetëm si « të-patur-qenë » të ardhshëm është kjo që Dasein-i është në pritje të së tashmes (Gegen-wart) së tij. Kështu të-paturit-qenë rrjedh nga për-të-ardhur, në atë lloj që e ardhmja që ka qenë të nxjerrë nga vetja të tashmen. I tillë është fenomeni zanafillor dhe i njësuar i kohësisë « ek-statike ». Të kuptuarit e vetë kohësisë në thelbin e saj zanafillor është ajo me çka merret kapitulli i parafundit duke përshkruar procesin e kohëzimit që është në zbatim gjithashtu në figurën e historicitetit apo historialitetit (Geschichtlichkeit) në këtë që Dasein-i historializohet në vetvete nga fati (Schicksal) të cilin ai e ndan me brezin e tij. Duke kohëzuar kohën, ai ngre nga vetë këtej një Botë historike. Megjithatë, siç dhe në ekzistencën inautentike, ai harron kohëzimin zanafillor të kohës, ai bie në ndërkohësinë, ajo e banalitetit të përditshëm të cilin pasqyron koncepti « vulgar » i kohës drejtvizore dhe të pafundme ndërkohë që kohësia zanafillore autentike është vetë shprehja e fundësisë së ekzistencës.

Pjesa e botuar e Sein und Zeit ndalet këtu ; megjithatë problemi i lajmëruar i kohës si horizonti i qenies nuk është trajtuar më, analiza nuk depërton deri në atë pikë ku gjithçka përmbyset dhe ku do të pyetej mbi Zeit und Sein e cila disi tridhjetë e pesë vjet më vonë do të përbëjë objektin e një eseje që mban pikërisht këtë titull. Nëse, nga vetë pohimi i autorit (në Brief über den Humanismus), Sein und Zeit dështon në detyrën që i kishte vënë vetes, dhe që seksioni III i pjesës së parë nuk qe botuar, kjo është ngaqë mendimi ecën akoma aty në fijet e gjuhës së metafizikës dhe nuk mundej për të kryer kthesën (Kehre) e kohësisë së Dasein-it në kohësi të Sein (Qenies).

 

Kuptohet që kjo vepër është një nga ato vepra së cilave nuk duhet reshtur së kthyeri, akoma dhe gjithmonë, sepse kjo vepër është emblema e shekullit të XX-të. Madje, me ringjalljen e një debati të vjetër mbi lidhjet e Heidegger me nazizmin, debat i cili pati bërë bujë në pranverën e këtij viti, është thënë që Heidegger është sot mendimi më i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm për të kuptuar epokën tonë, sidomos me kërcënimin e teknikës dhe harresën e poezisë. Por këtyre çështjeve do t’iu kthehemi më vonë kur do të shohim esetë më të bukura të tij të përmbledhura në « Ese dhe Konferenca », si dhe komentet e shkëlqyera të poezive të Hölderlin në veprën « Përqasje të Hölderlin ».

 

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com