untitled

Dhe nëse ti nuk mundesh

Të më lajmërosh një lumturi të vdekshme, kërcënoje pra

Zemrën time me një të pavdekshme !


Qasje të Hölderlin

 

Kjo përmbledhje katër konferencash të botuara veçmas, njëlloj siç kurset e 1934-35 dhe 1942 (shiko GA, v. 39 dhe 53), ilustron më së miri dialogun që Heidegger nuk ka reshtur së përcjelluri me poezinë e poetit të tij të preferuar, Friedrich Hölderlin, pa harruar që më i përkryeri i komenteve është gjithmonë ai që tekefundit fashitet përballë pranisë së kulluar të vetë së thënës poetike. Konferenca e parë, e mbajtur më 1943 për të përkujtuar njëqind vjetorin e vdekjes së Hölderlin, komenton poemën elegjiake të titulluar Heimkunft (Rikthim në vendlindje). Duke e ndriçuar atë nga të tjera poema të tij, Heidegger mediton mbi kuptimin e asaj çka poeti emërton Heimat, që ne do të ruhemi për të mos e ngatërruar me « atdheun » në kuptimin kombëtar të termit : ajo që i përket vendlindjes është toka amtare, ngrohtësia e vatrës, ndenja pranë origjinës në të cilën përcjell « rikthimi në vendlindje ». Heimat në thelbin e tij të vet është histori dhe fat. Për që fjala poetike e cila emërton të shenjtën (Heilige) të jetë përsëri e kapshme, në një epokë ku zotat kanë ikur dhe që e cila ka harruar fjalët e shenjta, ka nevojë për mendimtarë për ta pritur këtë fjalë dhe për ta marrë atë nën ruajtjen e tyre.

Këtu më poshtë, strofa e gjashtë dhe përmbyllëse e poemës « Kthim » :

 

Engjëj të shtëpisë, ejani ! Në të gjitha venat e jetës

Duke i lumturuar të gjitha, që ajo çka është e qiellit le të ndahet !

Të fisnikërojë ! Të përtërijë ! Që asnjë e mirë njerëzore, që asnjë                                                                                    

Orë e ditës të mos jetë pa të Lumturit dhe gjithashtu

Që një gëzim i ngjashëm me këtë sot ku ato që duhen gjejnë njëri – tjetrin

Ashtu siç është mirë, të jetë i shenjtëruar siç duhet.

Kur ne bekojmë bukën, cilin do të përmendja unë, dhe kur ne

Prehemi nga jeta e ditës, pa më thoni, qysh do të falenderoja unë ?

Emërtoja unë të Lartin ? Një Zot nuk e do të pavendtën.

Për t’a kapur atë gëzimi ynë është pothuaj tepër i vogël.

Shpesh n’a duhet për të heshtur. Ato mungojnë, emrat e shenjtë.

Zemrat rrahin, dhe fjalët heshtin ?

Por një lirë akordon çdo orë tonin

Dhe ndoshta kjo i gëzon qiellorët, të cilët afrohen.

Fillime… –  dhe kështu meraku pothuaj

Qetësohet tashmë, që vinte nën gëzimin.

Merake, të tilla, duhet, me hir apo pa hir, që në shpirt

Poeti të mbajë dhe shpesh –  por të tjerët jo !

 

Eseja e dytë, më e rëndësishmja e përmbledhjes, është një diskutim përkujtimor i botuar më 1936 nën titullin Hölderlin und das Wesen der Dichtung (Hölderlin dhe thelbi i poezisë) ku autori komenton në mënyrën e tij origjinale pesë Leitworte (lajtmotive) të poetit, në sytë e tij « poeti i poezisë » i cili më mirë se çdokush tjetër, sado i madh qoftë ai, diti të thotë poetikisht thelbin e poezisë. « Më e pafajshmja ndër të gjitha punët », lojë e thjeshtë dhe pasive me fjalët, poezia është par excellence vënia në zbatim e gjuhës, « e mira më e rrezikshme që t’i ketë qenë besuar njeriut » për që ai të dëshmojë mbi përkatësinë e tij ndaj qenies, sepse është vetëm nga gjuha kjo që gjendet e hapur vendndodhja ku mund të zbulohet qenia e ekspozuar ndaj kërcënimit që vjen nga endja e njerëzve. Gjuhës i takon misioni i shquar për ta shfaqur qënien ne qenien e saj duke e marrë atë nën ruajtjen e saj të vet : « Vetëm aty ku ka gjuhë, pohon me forcë Heidgger, vetëm aty ka Botë », dhe « vetëm aty ku një Botë shpalos mbretërimin e saj (Welt weltet), vetëm aty ka Histori. » Lajtmotivi i tretë e lejon Heideggerin për të saktësuar konceptimin e tij të gjuhës e cila nuk ka asgjë të përbashkët me përdorimin e zakonshëm që ne i bëjmë asaj duke e trajtuar si sistem të rëndomtë fjalësh dhe rregullësh gramatikore.

Ne jemi vetëm në dialogun me shumë zëra (« ein Gespräch sind wir », thotë Hölderlin), në të-mundurit-për-të-folur së bashku dhe të-mundurit-për-të-dëgjuar-njëri-tjetrin është kjo që gjuha mbërrin në thelbin e saj : atëherë hapet një Botë dhe zotat bëjnë shfaqjen e tyre. « Dialogu » i vërtetë konsiston në vetë këtë, në « emërtimin e zotave » dhe në « në-të-kthyerit-fjalë të Botës » (Wortwerden der Welt). Duke përmbushur veprën e vet, gjuha zbulon atë çka ajo është, ngjarjen e shquar nga e cila mbërrin ekzistenca e njerëzve. Lajtmotivi i katërt, « Was bleibet aber, stiften die Dichter », na mëson sesi poezia, « thirrje e zotave » dhe « emërtim i çdo gjëje në qenien e vet », është në shkallë të fundit « themelim i qenies nga fjala » (worthafte Stiftung des Seins) e poetit që thotë « atë që mbetet (qëndron) » në vazhdimin e saj : ai ua dhuron këtë njerëzve me qëllim për tu siguruar ekzistencës së tyre themelin e saj të vërtetë. Fjala e fundit mbi thelbin e poezisë na mëson që, larg së qenuri zbukurim anësor i ekzistencës, argëtim i kotë, poezia është vetë themeli i historisë së njerëzve. Ndonëse e thëna poetike të jetë emërtim dhe themelim i qenies dhe i thelbit të çdo gjëje, gjithçka na fton së pari për ta kuptuar thelbin e poezisë nisur nga thelbi i gjuhës. Mirëpo, përmbysje e re në të cilën na fton autori : meqë për poetin gjuha nuk është kurrë një material i zakonshëm të cilin ai do ta përdorte mbarë e mbrapsht, në të vërtetë është poezia ajo që është « gjuha zanafillore e një populli historik » ; kështu është mirë tanie  tutje për ta kuptuar thelbin e gjuhës njerëzore nisur nga thelbi i poezisë. Ja përse poezia nuk ka asgjë të një « loje të pafajshme » : duke i mbledhur njerëzit për t’i bashkuar, ajo është njëkohësisht themelim i ekzistencës së tyre dhe dhuratë e lirë. Ndërmjetës midis zotave dhe njerëzve, poeti pret shenjat që vijnë nga të pavdekshmit për t’ua bërë ato dhuratë të vdekshmëve. Hölderlin meriton të jetë thënë « poeti i poezisë » sepse, në këto « kohë pikëllimi » dhe mungese të zotave, ai është i përkushtuar ndaj nderimit të thelbit të poezisë.

Ja një pasazh i shkurtër nga kjo konferencë « Hölderlin dhe thelbi i poezisë » :

 

[…] Le të nxjerrim nga këto vargje para së gjithash atë çka i referohet kontekstit të diskutimit tonë :  « Qëkurse ne jemi një dialog… »  Ne – njerëzorët – ne jemi një dialog. Qenia e njeriut e ka themelin e saj në gjuhën ; por kjo këtu nuk merr tjetërkund një realitet-historial përveçse në dialogun. Dialogu, megjithatë, nuk është vetëm një mënyrë me të cilën kryhet gjuha, por kjo gjuhë është thelbësore vetëm e vetëm si dialog. Dhe ajo çka ne kuptojmë akoma me « gjuhë », dmth një sistem fjalësh dhe rregullash sintaksore, kjo nuk është gjë tjetër përveçse një pamje e jashtme e gjuhës. Por ç’nënkupton pra një « dialog » ? Sigurisht, faktin e të folurit njëri me tjetrin mbi një gjë. Gjuha është atëherë ndërmjetësuesi që n’a bën për të ardhur dhe arritur tek njëri-tjetri. Por Hölderlin thotë kështu : « Qëkurse ne jemi një dialog dhe mundemi për të dëgjuar njëri-tjetrin. » Të-mundurit-për-të-dëgjuar, larg së qenuri një rrjedhojë e thjeshtë e faktit të të folurit njëri me tjetrin, është përkundrazi presupozimi i këtij të fundit. Por, edhe të-mundurit-për-të-dëgjuar gjendet tashmë në vete i ngritur nga ana e tij mbi mundësinë e fjalës dhe ai ka nevojë për këtë fjalë. Të-mundurit-për-të-folur dhe të-mundurit-për-të-dëgjuar bashkekzistojnë gjithashtu që nga origjina. Ne jemi një dialog – dhe kjo do të thotë : ne mundemi për të dëgjuar njëri-tjetrin. Ne jemi një dialog, kjo nënkupton në të njëjtën kohë gjithmonë : ne jemi një dialog. Uniteti i një dialogu konsiston në këtë që çdo herë në fjalën thelbësore, të jetë shpallur Një dhe e Njëjta mbi të cilën ne bashkohemi, për arsye të së cilës ne jemi Një dhe kështu autentikisht ne jemi vetja jonë. Dialogu dhe uniteti i tij janë mbështetësja e qenies-sonë-aty. […]

 

Dëgjimi i shtruar i poemës pa titull Wie wenn am Feiertage (Siç në ditë feste…) sjell një temë të dashur të Hölderlin : « Natyra », « e mrekullueshmja e kudondodhur, hyjnisht e bukura, ajo që na edukon dhe shpalos praninë e saj në veprën e njerëzve dhe në historinë e popujve. « Natyra » të cilën zbulon e vërteta e fshehur e fjalës fillestare greke phusis është tërë kjo, ajo është « Kaos » dhe « Nomos » në harmoni, ajo është më e vjetër sesa kohët dhe përtej zotave. Ndoshta ajo është vetëm një emër tjetër i së Shenjtës të cilën emërtojnë poetët që në Botë u rregullojnë njerëzve takimin me të pavdekshmit. Sidoqoftë hyjnorja është e shenjtë jo ngaqë e Shenjta do të ishte e rendit të hyjnores ; përkundrazi, hyjnorja është hyjnore sepse ajo është në mënyrën e saj « e shenjtë ». Fjala gufuese e poetëve që nderojnë të Shenjtën i bën zotat dhe njerëzit për të mbërritur së bashku në bashkë-përkatësinë e tyre të ndërsjelltë. Në thellësinë e thelbit të saj, fjala poetike e Hölderlin është vetë himni i së Shenjtës që vulos ardhjen e saj.

Ja dy strofat e para të poemës « Siç në ditë feste… »

 

Siç në ditë feste kur një fshatar

Shkon të shohë fushën në mëngjes ; kur

Nga nata përvëluese kanë rënë, freskuese, vetëtimat

Tërë këtë kohë, dhe nga larg akoma gjëmon bubullima,

Dhe kur në shtratin e tij hyn lumi

Dhe toka jeshilon

Dhe vreshti shkëlqen nga shiu qiellor,

Dhe kur drurët e zabelit shndrisin

Nën diellin e qetë :

 

Kështu në një klimë bujare mbahen ato

Ato që asnjë mësues nuk edukon, por

Në krahët e saj të lehtë

Ajo, mrekullisht e gjithëpranishmja

E fuqishmja, e bukura hyjnisht, Natyra.

Kështu në stinët ku ajo duket të flejë

Në qiell apo midis bimëve apo popujve,

Fytyra e poetëve mbart gjithashtu zinë,

Ato duken të jenë vetëm, e megjithatë parandjejnë gjithmonë.

Sepse duke parandjerë, ajo prehet gjithashtu.

 

Andenken (Kujtim), teksti i fundit të përmbledhjes, botuar më 1943, përkujton njëqind vjetorin e vdekjes së Hölderlin duke rimarrë një pasazh thelbësor të kursit të 1942 të kushtuar ndaj kësaj poeme. Më tepër sesa kujtim i rëndomtë i një të shkuare të pakthyeshme, poeti këndon udhëtimin në vendin e largët, thelbësor për rithimin në dheun e vendlindjes. Mendimi përkujtues i poetit nderon atë që është për të ardhur, madje kur ai nuk mundet ta bëjë këtë përveçse duke qëndruar besnik ndaj mendimit të asaj që ka qenë. Duke pyetur mbi prejardhjen dhe thelbin e « poetikes », Heidegger zbulon që poeti është poet vetëm duke ndenjur poetikisht midis të vdekshmëve, duke paraprirë të banuarit të tyre të mirëfilltë poetik mbi tokë. Ligji i « perandorisë poetike » (Dichtertum) që themelon banimin e njerëzve është ligji themelues i historisë.

Përsëri këtu, Heidegger përmend cilësinë e shquar të të thënurit poetik. Duke festuar festën ku e Hapura ndriçohet, poeti thotë atë çka ai sheh të vijë duke e emërtuar : e Shenjta. Festa, mbërritja e së Shenjtës, është origjina thelbësore e historisë së njerëzimit si e tillë që ajo mbledh në vete të gjitha destinacionet e fatit (Geschicke des Schicksals) sepse poetët e lindur nga ajo janë iniciatorët e saj. Duke menduar kohën që ka qenë, ato mendojnë gjithashtu të ardhmen, jo si « thurës ëndrrash » të rëndomtë, por si « ëndërrimtarë » fjala e të cilëve, pa qenë « profetike » në mënyrën e profetëve biblikë, parathotë megjithatë atë që tejkalon çdo realitet, të Shenjtën, duke zbuluar vendndodhjen e të banuarit njerëzor mbi këtë tokë. Poetët janë ato vetë si shenja të cilat të gjitha së bashku fshehin dhe çfshehin, ato emërtojnë të Shenjtën sepse të thënurit e tyre është në të njëjtën kohë një të dëgjuar autentik. I tillë është « dialogu i mirë » që i kthen folësit më të menduar. Nëse një mendimtar pranon të ndjerit i huaj dhe paatdhesinë (huajësinë) (Unheimische), poeti, ai, thotë poetikisht « vendlindasen » (Heimische) dhe themelon atë që mbetet (qëndron). « Poezia është mendim besnik » (Andenken) dhe mendimi themelim (Stiftung) », i tillë është konkluzioni i këtij meditimi që dëshmon mbi afrinë e thellë të mendimit dhe poezisë.

Këtu më poshtë, strofa e parë e poemës « Kujtim » :

 

Era e Verilindjes fryn,

E dua atë ndër të gjitha,

Sepse ajo lajmëron mendjen e zjarrtë

Dhe u premton udhëtim të mbarë lundërtarëve.

Por shko tani, shko dhe përshendet

Garonën e bukur

Dhe kopshtet e Bordeaux-së

Atje tej, ku shtegu ndjek bregun e thiktë,

Ku përroi zhytet në lumë.

Por më lart

Një çift fisnik vështron nga larg,

Lisi i martuar me plepin e argjendtë.

 

Kjo vepër, « Qasje të Hölderlin », në botimin e saj francez përmban dhe dy konferenca të tjera që nuk bëjnë pjesë në botimin gjerman. Dy konferencat e tjera titullohen « Tokë dhe qiell të Hölderlin » që komenton një skicë himni « Greqi », dhe « Poema », konferencë e cila është një meditim mbi misionin e poetit si lajmëtar i ardhjes së zotave dhe ai që mbart mbi supet e tij, me kokën lart, këtë ngjarje të paparë, për t’ua bërë atë të njohur ndaj njerëzve të popullit të tij, të cilët edhe këta banojnë në mënyrë poetike mbi këtë tokë.

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com