Hyrje në metafizikë
Ky tekst i një kursi të vitit 1935, botuar i plotë dhe pa asnjë ndryshim, fillon nga çështja e parë dhe themeluese e metafizikës, çështje e cila vë vetë në çështje këtë metafizikë dhe trondit tërë ekzistencën tonë, çështja më rrënjësore dhe prandaj më filozofikja që mund të jetë, siç e kishte kuptuar Leibniz duke e formuluar : « Përse ka qënie dhe jo më tepër asgjë ? » Kjo çështje që është më e pathjeshtueshmja dhe më e pakapërcyeshmja e të gjitha çështjeve, meqë ajo përqafon tërësinë e asaj që është dhe meqë ajo shkon në thellësinë më të errët të qënies, deri për të kuptuar këtu dhe vetë hiçin, i lë megjithatë rradhën një çështjeje tjetër paraprake e cila e përgatit atë dhe që ka rënë në harresë : « ç’bëhet me qenien ? » ose me « kuptimin e qenies », qenie së cilës ajo i qaset në majën e saj më të skajshme bashkëkohore ku ajo shuhet si çështje dhe ku qenia është e flakur tej ngaqë ajo nuk ka më asnjë realitet dhe nuk është madje as dhe një koncept, më e shumta një fjalë e pakuptimtë.
Meqë do të ishte e padenjë për filozofin për tu dorëzuar përballë asaj çka duket të jetë kundërshtimi më rrënjësor i ndërmarrjes së tij, ai futet në një analizë sa historike aq dhe gramatikore dhe filologjike, madje etimologjike të fjalës së kundërshtuar. Nëse qenia nuk është më përveçse një fjalë, le ta marrim atë mirëfilli si fjalë dhe le ta pyesim atë mbi realitetin e saj të vetëm foljor. Mirëpo analiza gjuhësore na mëson që qenia, më tepër sesa një fjalë çfarëdo, zbulohet të jetë « fjala kyç » e gjuhëve tona metafizike, madje e çdo gjuhe. Domethënia historiale që ajo merr në këtë mënyrë do të përbëjë objektin e një analize të re e cila do të ndjekë për gjurme mbërritjen e qenies në thelbin e saj. Nëse në fund të analizës gramatiko-logjike « qenia » do të duket e dënuar për të qenë veçse një term i pakuptimtë, një « avull në tretje », analiza « historiale » do të dëshmojë përkundrazi domethënien e saj të shquar që është historia e metafizikës, në mos vazhda e figurave të ndryshme nën të cilat është shfaqur qenia. Ato paraqiten si tjetra e qenies apo kufizimi i saj, siç dallimet dhe kundërshtimet e saj si dhe në të njëjtën kohë siç bashkëlidhjet e tyre themelore nga të cilat Heidegger do të përmendë ato që qenë mbizotëruese dhe vendosën mbi fatin e Perëndimit. Duke u përmbledhur në katër nëndarjet që pikësojnë historinë e mendimit : « të qenur dhe të bërë », « të qenur dhe të shfaqur », « të qenur dhe të menduar » dhe « të qenur dhe të-duhur-për-të-qenë » (Sollen), ato thonë megjithatë të njëjtën gjë : thelbin e qenies në « adestance-ën » (Anwesen, praninë) e saj, dhe na mësojnë që qenia është akoma sot fuqia e cila drejton të gjitha raportet tona me qënien.
Disa rezultate meritojnë të mbahen mend : pyetësimi mbi qenien zbulon ngërthimin e ndërsjelltë të çështjes së qenies, së të vërtetës dhe së qenies-njeri apo të Dasein-it në historialitetin e tij. Ky pyetësim dëshmon që nihilizmi i vërtetë sot është ai që refuzon hetimin e qenies duke e trajtuar atë si hiç, dhe që duke mbetur rob i harresës rrënjësore të qenies jepet pas pasionit të vetëm për qënien. Mirëpo koncepti tradicional i qenies, duke qenë i pamjaftueshëm për të emërtuar atë që është, ne jemi të ftuar për ta bërë tonën eksperiencën e qenies për të vënë në zbatim « qenien-aty historiale » tonën të mirëfilltë. Në analizë të fundit, ndarja zanafillore e cila mbart historinë e Perëndimit është diferenca ontologjike e qenies dhe qënies. Duke prejardhur nga fillimi i mendimit tek Parmenidi dhe Herakliti, kjo diferencë përvijon për ne horizontin në brendësi të të cilit ne nuk pushojmë së zhvendosuri. Nga ku e ka prejardhjen privilegji të cilin gëzon ndarja e të qenurit dhe të menduarit, ndarje e cila konstituon sot akoma themelin dhe përcaktimin e qenies. Së fundi çështja e « thelbit (Wesen) të qenies », së cilës nuk i jep përgjigje as shkenca as logjika, ngjitet me çështjen e njeriut jo duke pyetur : ç’është njeriu ? por kush është njeriu ? E ilustruar përmes komentit të një pasazhi nga Antigona e Sofokliut, ajo dëshmon që bëhet fjalë fare mirë për një çështje ontologjike dhe jo thjesht një çështje antropologjike. Njeriu nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse në vetë gjirin e çështjes së qenies sepse duke i përkitur fuqisë së logos-it ai është pikërisht kërkim i qenies, Da-sein, vetë vendndodhja e shfaqjes apo e dukjes së qenies. Kështu Hyrje në Metafizikë rikthehet tek Sein und Zeit dhe mbyll qarkun e hapur nga ontologjia themelore.
bravenet.com