untitled

Thelbi i njeriut përcaktohet nisur nga e vërteta e qenies, e vërtetë e cila shpaloset në thelbin e saj nga fakti i vetë qenies.


Kontakti im me veprën e Heidegger

 

Gjithçka ka një zanafillë. Nuk ka rëndësi nëse kjo është rastësi apo diçka e paracaktuar nga fati, por edhe kontakti im me Heideggerin si filozof ka një fillesë. Kjo ngjitet diku andej nga vera e vitit 1999, kur Kosova sapo kishte dalë nga lufta dhe opinioni publik ndërkombëtar ishte akoma në dijeni të ngjarjeve atje. Gjatë kohës së luftës, kisha vënë re që gazetat më të mëdha franceze si « Le monde » dhe « Le Figaro » shkruanin përditë artikuj ku pasqyroheshin ngjarjet e tmerrshme në Kosovë. Më shumë shikoja « Le Monde » pasi aty dukej që kishte njëfarë prirje për tu rreshtuar përkrah shqiptarëve të Kosovës, ndërsa « Le Figaro » (më e djathtë sesa « Le Monde » ishte më e tërhequr, madje kishte një korespondent të sajën në Beograd që na tregonte vuajtjet e parrëfyeshme të popullit serb !

Nejse, pozicioni im qe i qartë, fillova të kem gati përditë në dorë « Le Monde » dhe shihja që në faqet e mesit, kishte një rubrikë ‘Debats’ ku intelektualë, filozofë, kineastë, profesorë, njerëz të artit, të shkencës, pa harruar sigurisht ata të politologjisë dhe diplomacisë debatonin në lidhje me atë ç’duhej bërë në Kosovë. Debati ishte deri diku i ashpër, sigurisht shumë pak vetë mbronin haptas Serbinë (siç filozofi Régis Debray, ish-këshilltar i presidentit Mitterrand), apo luanin një lojë jo të qartë siç « Stop bombardimet, vetëvendosje », parullë e hedhur nga komunistët francezë. Në këtë debat, shpejt do të binin në sy emra intelektualësh të cilët i kisha parë dhe në TV, dmth kisha vendosur njëfarë lidhje audiovizuale me to. Ndër to, shquhej një filozof i ri (lindur më 1949) që quhej Alain Finkielkraut. Dhe kur në një shkrim të tijin ai kishte nënshkruar poshtë me titullin e zv/presidentit të Komitetit Kosova, atëherë habia dhe admirimi im që ndezur në atë pikë që menjëherë shkova në librarinë më të madhe të qytetit dhe fillova të hulumtoj librat e tij. Gjeta tre të tillë, njëri ndër to titullohej « Urtësia e dashurisë ». Fillova ta lexoj, dhe qysh në faqet e para filloi të më shfaqej një emër tjetër, Emmanuel Levinas. Nuk kisha dëgjuar më parë mbi të, dhe u bëra kureshtar, sepse dukej që Finkielkraut ishte tepër i ndikuar nga ai.

Dhe ja ku gjendem unë i futur në një spirale intriguese (domosdo që nxënësi ka të bëjë shumë në përhapjen e ideve të mësuesit të tij), dhe në rastin më të parë u ktheva në librari. Gjeta nja pesë vepra të Levinas, pagova dhe dola. Ndër këto vepra, kisha shtënë në dorë padashje njërën nga veprat më të mëdha të shekullit XX, « Totalitet dhe pafundësi ». Si dhe kisha në dorë gjithashtu dhe disa biseda të tij në lidhje me filozofinë. Duhet thënë që filozofia e tij ishte mjaft tërheqëse, me një shtjellim dhe lidhje mendimi që nuk ngjante me asgjë nga ato që kisha lexuar më përpara. Në fakt, kisha lexuar pak përpara se të gjendesha në shtegtim, disa vepra filozofike të përkthyera në shqip, por asokohe nuk vija re se përkthimet ishin në një gjendje të vajtueshme. Vetëm duke i krahasuar me origjinalin, arrita të kuptoj që isha dhe ishim shumë larg asaj çka ngjiste me të vërtetë në këto vepra. Por ky është problem tjetër. Pra, tek po lexoja Levinas, dhe në një gjendje mrekullimi përballë tij, vura re se ai i referohej një tjetër filozofi të cilin e respektonte shumë por dhe e kundërshtonte në idetë e tij. Dhe ky filozof quhej Martin Heidegger.

Ja unë tek gjendem edhe njëherë i dërguar tek dikush tjetër. Mendova të ndjek fillin. Në librari gjeta një vepër të tij « Ese dhe Konferenca » (ky është libri i parë i Heideggerit që kam patur në duar), ku pashë që kishte njëmbëdhjetë konferenca me tituj mjaft intrigues : « Ç’do të thotë të mendosh ? » (vallë nuk paskemi ditur ne të mendojmë deri atëherë ?) dhe një tjetër « Të ndërtosh të banosh të mendosh » (pa presje ndërmjet !) si dhe një tjetër që më tërhoqi vëmendjen : « Kush është Zarathustra i Nietzsches ? » E kush nuk ka dëgjuar në Shqipëri për Zarathustrën dhe Nietzschen ? Të gjithë e përmendin njëherë Nietzschen, madje dhe pa lexuar asnjë rresht nga ai. Thashë me vete, ja dhe unë do e marr vesh më në fund kush është Zarathustra ! Mirëpo, gjatë përshkimit të faqeve të kësaj vepre, ndihesha si i tërhequr në një vorbullë, mendimi i Heideggerit ndërtohej me fjalë të thjeshta që i përdornim përditë, por lidhja e tyre e brendshme rrezatonte një forcë që ishte e pamundur për t’i rezistuar. Dhe këtu u ndala. Kërkimet e mia do të pushonin për një kohë të mirë. Kisha gjetur ç’më duhej. Atëherë fillova të grumbulloj një nga një veprat e tij, dhe kur një ditë mësova që Heidegger kishte shkruar aq shumë saqë botimi gjerman i veprave të plota të tij do të numëronte mbi njëqind vëllime, atëherë e kuptova se isha tejet larg mendimit të tij. Fillova të shfletoj bibliografinë e tij dhe gjithkund dilte një emër : « Sein und Zeit ». Vepra kapitale e tij dhe e shekullit të XX-të, për Levinas ndër më të bukurit në historinë e filozofisë. Atëherë mendova ta kem dhe atë. E porosita në Paris, më erdhi. Isha i kënaqur. Por nuk kishte mbaruar me kaq…

 

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com