Pak fjalë mbi jetën e Heidegger
Shkurtimisht, disa fjalë mbi jetën e M. Heidegger. Jeta e Heidegger është një jetë e trazuar dhe do të duhej të shkruheshin libra të tërë mbi të. Këtu do të mjaftohemi vetëm me një vështrim të përgjithshëm. Sigurisht që në postime të ardhshme do të flasim më hollësisht mbi miqësinë e thellë ndërmjet tij dhe filozofit francez Jean Beaufret, si dhe mbi një takim pothuaj historik midis tij dhe poetit të madh të gjuhës gjermane Paul Celan.
Lindur në Messkirch, më 1889, në rajonin e Bade, i biri i një mjeshtri vozaxhi, në një familje katolike, Heidegger kryen studimet e tij të mesme nga 1903 deri 1909 në Kolegjin e Constance, pastaj në liceun e Friburg dhe nisur nga viti 1909 studime të larta teologjie (katër semestra), pastaj filozofie dhe shkencash në Universitetin e Friburg ku ai mbron më 1913 një tezë doktorati nën ndikimin e leximit të tij të Husserl. Liruar për arsye shëndeti kur shpërthen lufta e 1914-ës, ai paraqet më 1915 një tezë aftësimi nga ku ai titullohet Privatdozent. Pas emërimit të Husserl në Friburg, Heidegger lidh me të një miqësi të fortë. Mobilizuar më 1917 dhe caktuar në shërbimin meteorologjik të ushtrisë, ai do të rifillojë të japë mësim veçse më 1919. Emëruar profesor në Universitetin e Marburg, ai jep mësim nga 1923 deri 1927 në këtë vatër të neo-kantizmit dhe fillon hartimin e Sein und Zeit të cilën ai e përfundon më 1926 në Todtnauberg në Pyllin e Zi ku ai kishte ndërtuar me duart e tij një shtëpi të thjeshtë mali (më vonë Kasollja e famshme). Në këto vite, midis Heidegger dhe Husserl vendoset një bashkëpunim i shkurtër por i frytshëm i cili konkretizohet nga hartimi i një prej versioneve të artikullit « Fenomenologjia », destinuar për Encyclopaedia Britannica dhe botimi nga Heidegger i Leksione mbi ndërgjegjen intime të kohës. Pas daljes në pension, Husserl e propozon atë si pasuesin e tij në katedrën e vet në universitet. Më 1929, Heidegger mbron përballë Cassirer interpretimin e tij të vet të Kant dhe publikon Kantbuch-in e tij. Zgjedhur rektor i Universitetit të Friburg në prill 1933, Heidegger aderon në Partinë nacional-socialiste dhe boton njëfarë numri diskutimesh dhe thirrjesh në përkrahje të regjimit të ri por, në të njëjtën kohë, duke mbrojtur, në Diskutimin e rektoratit, autonominë e Universitetit gjerman. Pas një mosmarrëveshje me instancat e partisë, ai jep dorëheqje nga funksionet e tij si rektor qysh në shkurt 1934 dhe tani e tutje do të jetë më i tërhequr kundrejt ideologjisë naziste, edhe pse shkëputja nuk i la vend asnjëherë ndonjë deklarate publike. Në këto vite para dhe gjatë luftës, ai boton pak dhe kthehet drejt refleksionit mbi poezinë, sidomos Hölderlinin, poeti i tij i preferuar, dhe i përkushtohet mësimdhënies. Pezulluar nga autoritetet franceze të pushtimit më 1945, Heidegger do të japë mjaft konferenca në rrethe në ngushta miqsh, përpara se të ripërfshihet në funksionet e tij. Ai rifillon mësimdhënien e tij në Universitetin e Friburg më 1951. Në këto vite datojnë kurset, esetë dhe konferencat më të famshme të tij. Tani e tutje ai fillon të udhëtojë më shumë se përpara, në Francë disa herë (ndërmjet 1955 dhe 1969) ku ai takon piktorin George Braque dhe lidh miqësi me poetin René Char ; për shkak të emrit të tij të dëgjuar, ai merr pjesë në kolokiume dhe shfaqje publike, si dhe pret admirues nga e gjithë bota. Heidegger vdes më 1976, në fshatin e tij të lindjes Messkirch, në moshën 86 vjeçare.

bravenet.com