Himne të Hölderlin : Gjermania dhe Rhini
Vëllimi 39 i botimit të plotë të veprave të Heidegger riprodhon një kurs të mbajtur në Universitetin e Friburg-en-Brisgau gjatë semestrit të dimrit 1934-35. Duke paraprirë nga afër konferencën e famshme « Hölderlin dhe thelbi i poezisë », ai çel kështu dialogun që filozofi nuk do të reshtë së përcjelluri me poezinë dhe sidomos me atë që ai e konsideronte si njëri nga poetët më të mëdhenj të Gjermanisë dhe që vepra e të cilit i përket plotësisht të ardhmes së popullit gjerman dhe jo një të shkuare të përfunduar. Larg çdo komenti shpjegues të ushqyer nga erudicioni letrar apo historik apo dhe nga analiza psikologjike, autori futet në një meditim mbi thelbin fatësor të poezisë së Hölderlin.
Pjesa e parë e kursit flet mbi poemën « Gjermania » : duke rrëfyer vdekjen e zotave të hershëm dhe mbërritjen e zotave të rinj, ai shpall misionin e shquar që i takon Gjermanisë përballë kësaj ngjarje themelore të Historisë, me kusht që ajo t’i dorëzohet pushtetit të poezisë që nuk është as shprehje simbolike e mbresave të poetit, as produkti i shpirtit apo i kulturës, madje i racës së një populli. Të themelosh dhe të ngresh Qenien ndaj superfuqisë së të cilës Dasein-i njerëzor është i ekspozuar, i tillë është misioni i poezisë nga i cili ajo qeveris fatin e popujve.
Pasi ka pyetur mënyrën me të cilën Hölderlin mendon thelbin e poezisë dhe përkatësinë e saj origjinale ndaj gjuhës dhe ardhmërisë historiale të një populli, Heidegger vë në dritë tonalitetin themelor të poemës të shënuar tejpërtej nga trishtimi i zisë (Trauer) përballë zhdukjes së zotave. As thjesht gjendje shpirtërore dhe as nënshtrim apo lëshim krahësh poshtë, zija e shenjtë nxjerr në pah qëndrimin e vendosur të atyre, të cilët duke hequr dorë nga zotat e hershëm, janë të gatshëm për tu futur në një marrëdhënie të re me hyjnoren. Vajtim i ndarë nga të gjithë, ajo (zija) shenjtëron përkatësinë ndaj vendlindjes (Heimat) që nuk është një vendlindje e thjeshtë, por vetë fuqia e tokës ku njeriu banon « poetikisht ». Grundstimmung-u (atmosfera themelore ose kur themi në shqip për një zi ‘kishte rënë një çehre e rëndë’) i zisë së shenjtë bie mbi ne siç dhe mbi gjërat ; më tepër sesa endje e dëshpëruar dhe pa synim, ajo është ruajtja e hyjnisë sepse, nëse zotat kanë ikur, ato nuk vazhdojnë më pak për të mbretëruar mbi ekzistencën e njerëzve, nën një formë muzgore dhe të errët. Hölderlin këndon këtë braktisje të njerëzve, lënien vetëm në të cilën ato e shohin veten, dhe nevojshmërinë për të qëndruar të gatshëm për një rikthim të hyjnores përmes Qenies që mbërrin, dikur dhe në të ardhmen. Sa kohë që rrufeja e zotave nuk godet më dhe që vendlindja dhe populli i saj nuk gjejnë më vend nën qiellin e stuhisë në eksperiencën e pikëllimit më të brendshëm, pritja të cilën lut poema nuk mund të kthehet shtypje dhe as zija e shenjtë disponueshmëri për ripërtëritjen e tokës së lindjes të kërcënuar për tu shkatërruar. Atdheu nuk është atdhe i vërtetë përveçse kur toka është përgatitur për mbretërimin e zotave : e tillë është loja e madhe që zotat luajnë më popujt, sipas fjalës së Heraklitit ku Hölderlin rimerr mendimin më të thellë. Të sjellësh ndërmend « vendin e etërve » nuk ka asgjë të përbashkët me një patriotizëm të zhurmshëm, atdheu të cilin nderon poema është populli i kësaj toke si popull historik i ngritur në këmbë nga poezia, i ndërtuar nga mendimi, i krijuar nga aktiviteti i themeluesve të Shtetit, ai është vetë Qenia e cila mbart dhe përpunon historinë e një populli rënia e të cilit shënon lindjen e një bashkimi të ri ndërmjet Natyrës dhe njeriut. Të tilla janë tre fuqitë që drejtojnë shpalosjen e historisë dhe vendosin mbi madhështinë e një populli.
Ja strofa e dytë e poemës « Gjermania » :
O zota të ikur ! dhe ju, o zota të pranishëm, dikur
Më të vërtetë, ju patët kohën tuaj !
Të mos mohoj asgjë, unë dua, dhe të mos lus asgjë.
Sepse kur gjithçka ka marrë fund, kur dita është shuar,
I pari prifti është goditur, por plot dashuri
Tempulli, dhe imazhi, dhe riti që është i tiji
E ndjekin në brigjet e errëta, asgjë më nuk mund të duket.
Siç lindur nga flakë të një turre drush funebër, vetëm një tym i artë
Ngrihet, legjendë, nga thellësitë,
Dritë agimi për kokat tona të munduara nga dyshimi,
Dhe askush nuk di çka i ndodh atij. Ai ndjen
Që hijet e atyre që kanë qenë,
Zotat e vjetër, vizitojnë përsëri tokën.
Sepse ato që do të vijnë na ngjeshin,
Dhe trupa e shenjtë e njerëzve-zota
Nuk do të vonohet më në qiellin blu.
Pjesa e dytë e kursit i kushtohet himnit « Rhini », njërës prej « poemave lumore » të Hölderlin, e cila përmend me rradhë Natyrën, historinë, zotat pa dhënë në një panteizëm të turbullt dhe sakrifikuar ndaj shijes së ditës për të lashtën imazhin e botës. Poema ngre lart figurën e gjysmë-zotave (Rhini është një i tillë), këta mbinjerëz apo nënzota të menduar në kufijtë e tokës së vendlindjes. « Fat » është emri që poeti i jep qenies së gjysmë-zotave : fjalë qendrore e poemës, ajo nuk shpreh asnjë fatalitet të verbër në mënyrën e mendimit oriental, as në mënyrën e moira-s greke por përshkruan vetë Qenien, njëkohësisht fat dhe destinacion i njerëzve. Himni ndaj Rhinit nuk përshkruan aspak Natyrën të tillë siç e kanë përçudnuar atë dy fuqitë e modernitetit, kristianizmi që e ka thjeshtuar në qenien e krijuar, dhe shkenca moderne që e ul atë në rangun e objektit të teknikës industriale. Është një eksperiencë e re e Qenies siç dhe e Natyrës kjo që bën poeti duke nderuar tokën e vendlindjes dhe lumin, imazh i fatit të popullit gjerman dhe i Qenies së tij të ardhshme. Nga ku rrjedh toni i kësaj poeme që i thur lavde lumit i cili krijon udhët dhe kufinjtë e një toke pa udhë dhe ngushtica qëkurse zotat kanë ikur. Kur ai thërret gjysmë-zotat, është thelbi i njeriut kjo që poeti mendon nisur nga toka e vendlindjes, sepse është në këtë tokë dhe në poezinë kjo që shpalosen e vërteta dhe fati i një populli. Me tepër sesa rrjedhë e thjeshtë uji apo simbol i pastër, lumi ndërtues, ushqyes, krijues, ngre në këmbë vendlindjen e popullit gjerman ndaj të cilit ai (lumi) ofron mundësinë për të themeluar mbi tokë një banesë të denjë për të. Në himnin e tij ndaj Rhinit, Hölderlin kap një nga majat e mendimit perëndimor, ai qëndron aty pranë filluesve të mendimit dhe historisë së Perëndimit sepse ai vetë është një Anfänger (fillestar) i këtij fillimi akoma sot në pritje.
Ja dhe strofa e katërmbëdhjetë e himnit « Rhini » :
Megjithatë, përballë disave
Kjo fashitet shpejt, të tjerë
E ruajnë më gjatë.
Zotat e përjetshëm janë
Plot jetë tërë kohën ; deri në vdekje
Një njeri, megjithatë, mundet gjithashtu
Në kujtesë të ruajë çka është më e mira,
Dhe atëherë ai njeh çka është më e larta.
Por, secili sipas masës së vet.
Sepse e rëndë për tu mbartur
Është fatkeqësia, por lumturia është më e rëndë.
Një i urtë megjithatë ka ditur
Nga mesdita deri në mesnatë
Dhe derisa dita të shndrisë përsëri,
Në dasëm të rrijë i kthjellët.

bravenet.com