untitled

Nuk ka asgjë demoniake në teknikën, por ka mister të thelbit të saj.

Ese dhe Konferenca

 

Kjo vepër është ndër më të bukurat dhe më të thellat ku mendimi i Heidegger shpaloset me lehtësinë dhe zhdërvjelltësinë më të madhe. Të njëmbëdhjetë esetë dhe konferencat e kësaj përmbledhje të cilat shpërndahen në një periudhë dhjetëvjeçare nga 1943 deri 1953 dhe trajtojnë njëfarë numri temash në dukje mjaft të ndryshme, disa të kohës, disa më të vjetra, janë të ndara në tre seksione kryesore, e para në lidhje me një meditim të vazhdueshëm mbi thelbin e modernitetit dhe mbi të vërtetën e thellë të kohës sonë. Die Frage nach der Technik (Çështja e teknikës), duke pyetësuar mbi Teknikën dhe « thelbin » e saj të fshehur, na mëson qysh në fillim që ky thelb nuk është asgjë teknike dhe asgjë njerëzore. Është fjala fillestare techné, e trashëguar nga Grekët, ajo që na jep për të kuptuar më mirë sesa një vështrim gojëhapur i hedhur në mënyrë naive mbi mjetet e mrekullueshme të shpikura për rehatinë tonë mbi atë ç’bëhet me Teknikën në të vërtetën e saj : as « makinacion » i njeriut as fabrikim i zgjuar produktesh të dobishme për lumturinë e tij, ajo qëndron në pushtetin e saj specifik të zbulimit të qenies së qënies. Nëse Teknika është « përftim », ajo është e tillë në kuptimin origjinal ku « për-ftim » (Her-stellen) nënkupton « për-thirrje », « detyrim », « urdhërim » dhe « konsumim », vënie dorë mbi qënien, pushtim i qënies. I tillë është thelbi i Teknikës : një « tërësi rregullash kontrollimi » (« Ge-stell », thotë Heidegger duke shfrytëzuar në një mënyrë të paparë, të papërkthyeshme, kuptimin e fjalës gjermane) e cila e komandon njeriun për ta trajtuar Natyrën si një rezervë të stërmadhe energjish të shfrytëzueshme. Në lidhje me këtë term « kontrollim » duhet dhënë një shpjegim : kemi përkthyer kështu termin frëngjisht « arraisonnement » i cili përdoret në fjalorin detar në kuptimin e ndalimit të një anije për ta kontrolluar në lidhje me dokumentacionin, ngarkesën, identitetin e ekuipazhit. Kështu që do të bëhet një përafrim me çështjen tonë ku thelbi i Natyrës është kontrollimi i gjithçkaje për ta kthyer në një rezervë energjish të përdorshme. Pa qenë një fatalitet i thjeshtë i epokës sonë, Teknika vulos tani e tutje fatin planetar të njeriut. Heidegger nuk shqipton një dënim të Teknikës. Nëse ajo i duket megjithatë atij të jetë rreziku më i madh dhe kërcënimi me vdekje për njeriun që kapardiset si « zot dhe sundues i tokës », thelbi i Teknikës nuk kërcënon vetëm njeriun në raportin e tij ndaj vetvetes, por ai është dhe kërcënim i qenies nga qënia e ngritur në kulmin e saj sepse ky thelb fsheh çdo zbulim tjetër i cili do të ishte poiesis i vërtetë, ky i fundit duke bërë për tu dukur qenien në tërë shkëlqimin e pranisë së saj. Megjithatë, shpëtimi nuk është tek veprimi, nuk është Teknika ajo që na shpëton ngaqë ajo do të ishte mrekullisht transformuar, por sepse përmes saj, në pështjellimin më të madh që nuk e di madje veten pështjellim, njeriu shquan edhe një herë vendin e thjeshtë të përkatësisë së tij ndaj qenies dhe « përshtatësimin » (ky term do të shpjegohet në shkrime të tjera sepse është një term i veçantë, nga ku dhe mospërdorja e termit të zakonshëm përshtatje) e ndërsjelltë që Teknika e fsheh dhe njëkohësisht e kryen.

Konferenca Wissenschaft und Besinnung (Shkencë dhe meditim) konfirmon që Shkenca, e cila nuk i përgjigjet vetëm një vullneti të thjeshtë për të ditur, me Teknikën, është sot fuqia planetare që vulos fatin e njerëzimit. Heidegger na fton edhe një herë për dëgjimin e mendimtarëve të parë grekë dhe të fjalës së tyre për të mësuar atë çka do të thonë zanafillisht fjalët « teori » dhe « reale » të cilat përkufizojnë Shkencën dhe të cilat moderniteti i ka thjeshtuar, realen në statut « ob-jekti » (Gegen-stand, diçka aty përballë) të përftuar, dhe teorinë, zanafillisht « pamje dhe ruajtje e së vërtetës », në një veprim të pastër « përpunimi të reales » të ndjekur pas gjurme dhe të mbështetur me shpatulla pas muri. Ndaj shkencës Heidegger kundërvë mendimin meditues (Besinnung) më të duruar, më të varfër dhe më pak efikas akoma sesa të pasur me premtime ardhmërie. Heidegger përfundon që sot humaniteti ka nevojë të ngutshme për « meditim ».

Çfarëdo që të lerë për të kuptuar titulli i saj, eseja Überwindung der Metaphysik (Kapërcim i metafizikës) përzgjat të njëjtën problematikë : nëse gjithçka sot na bën për të parandjerë rënien madje fundin e metafizikës, kjo e fundit nuk pushon së qenuri e vërteta e kohës sonë, ajo e harresës së qenies dhe e « vullnetit të vullnetit » i cili drejton tani e tutje fatin e njeriut të kthyer « kafshë pune », subjekt dhe në të njëjtën kohë objekt i parë i përfytyrimit. Fatalitet i pashmangshëm i Perëndimit dhe kusht i sundimit të tij planetar, metafizika apo filozofia, çka kjo është një, përmbyllet me metafizikën e « vullnetit të fuqisë » sepse ajo përbën tani e tutje vetë rendin e Botës që është e jona. Nihilizmi i filluar nga metafizika në rënie nuk është gjë tjetër sesa lufta planetare e angazhuar në shërbim të fuqisë, luftë e cila zhvillohet në gjendjen e braktisjes së plotë të qenies (Seinsverlassenheit) dhe të dëshpërimit më të thellë ngaqë e shpërfillur si e tillë. Kjo është epoka e endjes ku gjithçka është e thjeshtuar në njëtrajtësinë e zbrazët dhe indiferente, ku gjithçka është rrafshuar – përfshirë këtu dhe njeriun – në rangun e lëndës së parë gjithashtu të përllogaritshme dhe të shfrytëzueshme. Vetë veprimi është i pafuqishëm për të shpëtuar tokën nga shkretimi të cilit ajo i është premtuar nga planifikimi dhe shfrytëzimi i përgjithshëm i Natyrës. Por mbretërimi planetar i Teknikës e ka të kotë të vulosë fundin e filozofisë, ky fund nuk është akoma fundi i mendimit të thirrur për një fillim tjetër. Konferenca Wer ist Nietzsches Zarathustra ? (Kush është Zarathustra i Nietzsches ?) mbyll ciklin duke rimarrë refleksionet e semestrit të dimrit 1952-53 mbi Was heisst Denken ? (Çfarë thirrim të mendosh ?), të kushtuara ndaj Zarathustrës së Nietzsches të cilin ajo e paraqet si « zëdhënësi » i njerëzimit modern në çastin ku ky humanitet përgatitet të hyjë në sundimin planetar ngaqë vullneti i fuqisë përcakton tani e tutje qenien e çdo qënie. Mbinjeriu të cilit ai i premton ardhjen, sidoqoftë, ç’është ai në mos emri i dhënë ndaj njeriut që korespondon ndaj kësaj kohe të Botës ?

Seksioni i dytë i përmbledhjes mbështillet rreth një meditimi gjysmë-filozofik gjysmë-poetik mbi të menduarit, fatin dhe detyrën e mendimit, sot. Ai hapet me çështjen vendimtare dhe gjithnjë aktuale për Heidegger : Was heisst denken ? Nga një përqasje e habitshme semantike që autorizon gjuha gjermane e dëgjuar më vëmendje, ne mësojmë që të menduarit vjen vetëm nga « ajo që jep më shumë për të menduar » (Denkwürdigste), e cila është pikërisht kjo që ne nuk mendojmë akoma në një botë ku ndoshta, « prej shekujsh, njeriu ka vepruar shumë dhe menduar pak ». « Mungesa e mendimit », mungesë e vajtuar, larg së qenuri për shkak të njeriu, vjen më tepër nga ajo që pikërisht jep për të menduar dhe që qysh prej gjithmonë duke iu adresuar njeriut në të njëjtën kohë largohet nga ai. E tillë është « ngjarja (Ereignis) thelbësore » behja e së cilës, qysh në fillim të Perëndimit, vendosi mbi fatin dhe historinë e tij madje duke mbetur e errët dhe e pamenduar. Pohimi që Shkenca, me të cilën njeriu mburret më tepër, nuk është mendim nuk është paradoksi i vetëm i kësaj mbrojtje të mendimit, edhe kur autori pranon që, nëse « shkenca nuk mendon », kjo nuk është dobësi apo mangësi nga ana e saj, por pikërisht forcë dhe avantazh. Mendimi i vërtetë siç poezia apo miti, të thënurit zanafillor (Sage), është « kujtesë » (Gedächtnis) dhe « vetëmbledhje » (Andenken). Ne nuk mendojmë akoma « në mënyrë të mirëfilltë » sa kohë që ne nuk mendojmë atë në çka prehet qenia e qënies, qenie e cila është prani.

Çfarë raporti mund të ketë problemi i mendimit me problemin e të banuarit të njeriut, në dukje krejt i rëndomtë dhe « më rrafsh me tokën », sidomos sot në këtë periudhë të krizës së strehimit ? E tillë është çështja të cilën mediton eseja me titull të veçantë Bauen wohnen denken (Të ndërtosh të banosh të mendosh) e cila edhe një herë na fton për të dëgjuar atë çka thotë gjuha në të thënurit e saj origjinal për të na mësuar që të ndërtosh dhe të banosh duan të thonë që të dyja të njëjtën gjë siç të jesh : të rregullosh (sistemosh) një ndenje mbi tokë dhe nën qiell, midis të vdekshmëve dhe përpara hyjnorëve, që të katër të bashkuar në thjeshtësinë e grupimit të tyre të veçantë që Heidegger e përshkruan me fjalën e çuditshme Geviert (« Katërshe »). Kriza e vërtetë e banimit e cila godet Europën të nesërmen e luftës qëndron në çrrënjosjen e njeriut dhe mbahet në këtë që ai nuk ka mësuar – apo ka çmësuar – për të banuar mbi tokën e njerëzve.

Eseja me titullin e thjeshtë Das Ding (Sendi) shtjellon nga ana e saj konsiderime në dukje nga më aktualet dhe të rëndomtat mbi nguljen e njeriut në një hapësirë uniforme dhe indiferente pa distanca. Duhet pranuar, këto teknika të mrekullueshme komunikimi, të cilat zhdukin të gjitha distancat, nuk u zbulojnë njerëzve « afërsinë » e vërtetë kundrejt sendeve më të zakonshme, sende të cilat mbahen në qenien-send të tyre pa qenë të thjeshtuara në statutin e tyre prej « objekti » njohjeje shkencore apo produkti teknik. Më mirë sesa një analizë shkencore, fjala e vjetër gjermanike thing ndriçon kuptimin origjinal të Ding-ut : sendi është send duke mbledhur dhe mbajtur në vete që të Katër të bashkuar, tokën dhe qiellin, hyjnorët dhe të vdekshmit. Loja e pasqyrës së Katërshes që emërtohet « Botë » (Welt-Geviert), botë e cila është gjithçka përveç një objekt i thjeshtë njohurish teorike, nuk është metaforë e pastër për autorin kur ai përmend në një formulë e cila nuk ka asgjë të një loje arbitrare fjalësh atë çka bëhet me thelbin e saj : « Bota vihet në vend si botë » (Welt weltet).

Me të njëjtin tonalitet është dhe konferenca e mbajtur më 1950 nën titullin …Dichterisch wohnet der Mensch (…Njeriu banon si poet) të marrë nga një poemë e vonë e Hölderlin : « Plot merita, por poetikisht banon njeriu mbi këtë tokë. » Duke përqasur edhe një herë problemin e të banuarit të njeriut modern, Heidegger mediton në të vërtetë mbi paradoksin e kushtit njerëzor ndaj të cilit mungon sot poezia. Me kusht që ekzistencën e njeriut ta mendojmë nisur nga të banuarit e tij dhe nga « të ndërtuarit » e vërtetë ku poezia jep masën, të çuditshme dhe të mistershme nga këndvështrimi i përfytyrimit të përgjithshëm, kuptimi i fjalës poetike del në dritën më të plotë. Poezia të cilën nderon autori është pikërisht fuqia themelore e të banuarit njerëzor mbi këtë tokë dhe të ndërtuarit e tij të vërtetë i cili merr nga ajo masën e arkitektonikës së vet.

Ndër tre esetë e fundit me pamje më historike, të vendosura nën udhëheqjen e mendimit fillestar grek, të Parmenidit dhe Heraklitit ku këto ese u meditojnë atyre disa fjalë themelore që nuk kanë reshtur së drejtuari mendimin e Perëndimit, e para, e titulluar Logos, një konferencë e 1951, rimerr temën tashmë të zhvilluar më 1944 në një kurs mbi « Logjikën » (tashmë në GA, vëll. 55). Duke u paraprirë nga një fjalë e Heraklitit (frag. 50), Heidegger pyet mbi qenien thelbësore të fjalës dhe gjuhës dhe duke u mbështetur edhe një herë mbi atë çka i mësojnë atij fjalët fillestare të gjuhës (greke, latine apo gjermanike), ai e vendos logos-in në një rrjet semantik ku rilidhen legein, legere, legen, lesen për të nxjerrë që andej kuptimin origjinal : Logos-i është njëkohësisht legjendë dhe mit, mbulim dhe zbulim i qenies, shkurt Aletheia dhe, në kundërshtim me konceptimin e kthyer të rëndomtë në Perëndim i cili e thjeshton atë në pamjen e saj fonologjike apo thelbin e saj semantik, qenia e gjuhës është të mbërriturit thelbësor (Wesen) të vetë qenies (Sein). As të folurit nuk thjeshtohet në aktin e fonimit as të dëgjuarit në ushtrimin e organit të dëgjimit, gjuha është gjithashtu një mënyrë të « vetëmbledhuri », të qenuri në dëgjim (hören), dhe përfundimisht të « përkituri » (gehören) ndaj asaj që thuhet nga zëri i logos-it.

Eseja e titulluar Moira, duke rimarrë një pasazh nga kursi i 1952 Was heisst Denken ?, mediton përsëri mbi « të qenur dhe të menduar », njëra nga çështjet kyç të metafizikës perëndimore. Nisur nga fjala e famshme e Parmenidit to gar auto noein estin te kai einai (« sepse e njëjta janë të mendosh dhe të jesh »), Heidegger ndërmerr të tregojë që dialogu i vërtetë me filluesit e mendimit është një dialog pa fund që nuk ka gjasa të jetë pjellor përveçse me kushtin që ai të jetë i drejtuar nga vendi që është i yni për t’iu hapur mendimit të dikurshëm dhe pritur thirrjen për të menduar. Nëse Modernët, duke thjeshtuar essepercipi, nënshtrojnë qenien ndaj mendimit ndërsa Parmenidi, duke na mësuar që të menduarit është i bashkë-natyrshëm me të qenurit, ia beson mendimin qenies, secila prej perspektivave të cilat përvijohen në mendimin fillestar grek do të gjendet e rikapur dhe e shndërruar në metafizikën moderne, duke kryer kështu atë çka ky mendim qe qysh në zanafillën e tij, fat dhe dhurim, histori e qenies apo e palosjes së qenies dhe qënies. Eseja e fundit e përmbledhjes rimerr nën titullin aletheia një fragment nga një kurs i 1943 (GA, vëll. 55) mbi Heraklitin i ashtuquajtur i Errëti sipas Heidegger sepse ai mendoi duke pyetësuar drejt qartësisë dhe asaj që ndriçon, pikërisht Aletheia. Duke përmendur fragmentet 16 dhe 123, Heidegger rikthehet edhe një herë tek koncepti kyç i mendimit : e vërteta. Fjala e hershme greke për ta përshkruar atë, aletheia, zbulon, me kusht që t’ia vëmë veshin vetë asaj, që ajo nuk është siguri e mendimit apo përshtatje ndaj reales, por strehon një lidhje më intime me vetë phusis-in të menduar si « nxjerrje krye », « zbulim dhe mbulim në të njëjtën kohë, tërheqje dhe strukje (Verbergung) sipas kuptimit të sugjeruar nga fjala e Heraklitit : phusis kruptesthai philei (« Natyra pëlqen të fshehet »).

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com