untitled

Eric Weil ka lindur më 1904 në Parchim pranë Hamburg dhe vdekur më 1977 në Nice. Nxënës i Cassirer, shkrimet e tij të para në gjuhën gjermane trajtojnë filozofi të Pomponazzi dhe të Pic de la Mirandole ; me origjinë çifute, i detyruar për të emigruar, ai vjen në Francë më 1933, bëhet francez dhe zgjedh të shkruajë në frëngjisht. Ai do të jetë në shkollën praktike të Studimeve të Larta njëri nga pjesëmarrësit e seminarit të famshëm të A. Kojève mbi Fenomenologjia e Mendjes së Hegel.

Rasti Heidegger

nga Eric Weil

Les Temps Modernes, viti II, n° 22, korrik 1947

 

Dosja Heidegger fryhet çdo ditë. Megjithatë, nuk kemi përshtypjen që aty mungojnë fakte thelbësore, dokumente të cilat të mundin për të sjellur argumente të reja, në një kah apo tjetrin. Sigurisht, nuk është e përjashtuar mundësia që të gjendet dhe një tjetër thirrje e ndezur në favor të Führerit, që të shfaqet një tjetër letër e adresuar nga Zj. Heidegger (apo një djalë apo një hallë Heidegger, madje Z. Heidegger vetë) ndaj një « jo-ariani » apo ndaj një kolegu të dyshimtë për vaktësi kundrejt Hitlerit : kjo nuk do ta ndryshonte aspak procesin. Z. Loewith[1] ka paraqitur faktet e akuzës (një pjesë të tyre), Z. de Towarnicki[2] ka publikuar një fjalim në mbrojtje të Heidegger (më tepër Heidegger sesa për Heidegger : do të ishte e lehtë për të provuar, me ndihmën e dokumenteve të nënshkruara nga autori i tyre, që Z. de Towarnicki nuk është aq avokat sa përkthyes i klientit të tij) : ka ardhur koha për të marrë vendim.

Të përmbledhim faktet : Z. Heidegger, profesor i dëgjuar në universitetin e Friburg, është zgjedhur rektor në pranverë 1933 dhe regjistrohet « për të mirën e universitetit », në partinë nacional-socialiste. Deri këtu, ai nuk ka bërë kurrë politikë. Le ta pranojmë këtë, megjithëse ka dëshmi mbi faktin që Heidegger, qysh më 1932 të paktën, kalonte për një « nazist » në sytë e një pjese të mirë të auditorit të tij. Ai qëndron rektor deri në shkurt 1934, hep dorëheqje, njëkohësisht sepse dy nga kolegët e tij janë kërcënuar me përjashtim nga universiteti dhe sepse ai ka vendosur kështu përpara se ky kërcënim të shfaqet, vazhdon për të dhënë leksionet e tij të cilat nuk janë të pritura mirë nga të gjithë anëtarët e partisë naziste, por jo aq të rrezikshme për që të ngurohet për t’i ofruar atij postin e rektoratit të Berlinit, - « është i detyruar për t’i ndërprerë kurset e tij më 1937-1938 », por mund t’i rimarrë ato dhe t’i vazhdojë mu në mes të luftës, boton pa ndërprerje, ndonëse me vështirësi, veçanërisht në planin e publicitetit, e sheh veten të privuar për të marrë pjesë në kongrese ndërkombëtare (nuk e dimë nëse i kanë ndaluar atij vizën e daljes apo thjesht cilësinë e përfaqësuesit të filozofisë gjermane), refuzon, nga ana e tij, për të bërë udhëtime propagande jashtë vendit, jo ngaqë ai nuk është dakort me politikën e Rajhut, por sepse, siç ai e deklaron me naivitet, atij « i ishte ndaluar në vendin e tij të vet për të shprehur haptas mendimin e tij », - dhe kërkon tani, me këto prova pafajësie në dorë, që ta falim.

Ai harron të përmendë disa vepra të vogla kalimtare, që Z. Loewith ka bërë mirë që i ka cituar : diskutimi i marrjes së funksionit të rektorit të ri, me thirrjen e tij për besnikëri ndaj Führerit, diskutimi në kujtim të Schlageter, thirrja ndaj Universitetit dhe popullit gjerman në momentin e zgjedhjeve, pas daljes së Gjermanisë nga S. D. N. : edhe syri më i stërvitur dhe më dashamirës nuk do të gjejë këtu asgjë që të kundërshtojë veprimin hitlerian (siç dhe sytë më dashakeqës, ato të censurës naziste, nuk kanë gjetur këtu asgjë të tillë). Kjo është gjuha naziste, morali nazist, mendimi (sit venia verbo) nazist, ndjenja naziste. Kjo nuk është filozofia naziste, dhe është për këtë arsye kjo që Z. Heidegger beson të duhet për ta fituar vendimin. Por duhet kuptuar : nëse Z. Heidegger nuk është nazist ortodoks, nëse ai ka qenë kritikuar (për parantezë : jemi të habitur të takojmë bashkë dy cilësorët « të ndyra » dhe « të pakuptueshme » - të Towarnicki, f. 720 - ; a kanë qenë këto sulme të ndyra, ngaqë kundërshtarët e tij nuk e kuptonin Z. Heidegger dhe do të kishin pushuar nëse do ta kishin kuptuar ?), nëse Bauemler e shikonte atë me dyshim, kjo është ngaqë Z. Heidegger nuk ishte materialist biologjist, që për të, logos-i kishte përparësi ndaj natyrës siç ajo ishte e kuptuar nga shkenca. Shumë mirë, Z. Heidegger ka shmangur një absurditet filozofik, ai madje ka protestuar kundër këtij absurditeti. Dhe ai nuk ka qenë akuzuar për biologjizëm, « bauemlerizëm » apo « rosenbergianizëm », por për hitlerizëm. Atë e gjykojmë në planin politik dhe mbrojtja e tij në këtë plan nuk është vetëm e dobët, por ajo mungon fare. Të shumtë janë vjedhësit të cilët do të mund të betoheshin, në shpirt dhe ndërgjegje, që ato nuk kanë përdhunuar kurrë një vajzë : zakonisht, ato nuk e përdorin këtë argument përpara trupave gjykues.

Z. Heidegger ka miratuar marrjen e pushtetit nga Hitler, ai nuk ka qenë vrarë jashtë mase nga tërë historia e vitit të parë të Rajhut mijëvjeçar, ai ka miratuar publikisht prishjen me S.D.N., ai ka mëshuar me tërë peshën e tij morale mbi studentët e tij dhe mbi opinionin publik të vendit të tij për që Hitleri të qe ardhmëria e Gjermanisë, dhe ai ka qenë zhgënjyer duke parë që ky Rajh mund të bënte dhe pa shërbimet e tij, ngaqë ky regjim nuk kishte aspak nevojë për ndonjë filozof. Gjithçka për të cilën ai mund të ankohet është që nazizmi të ketë qenë mosmirënjohës ndaj tij. Kjo është një kauzë të cilën ai do të mund ta fitonte përpara një gjykate objektive ; sidoqoftë, ai do të mund ta vërtetonte që ai e ka paguar këtë.

Vullneti i popullit për të qenë i përgjegjshëm vetëm përpara vetes së vet, deklaron ai në thirrjen e tij të 10 nëntor 1933, është « nisja e një rinie të pastruar dhe që ri-rritet (zurückwächst) në rrënjët e saj të veta… Populli rifiton të vërtetën e vullnetit të tij për të ekzistuar (Daseinswille) ; sepse (duhet bërë kujdes : Z. Heidegger tregon tani bazat, sipas tij, filozofikisht të qëndrueshme, të cilat ai mund t’i vendosë në shërbim të partisë) e vërtetë është qenia-e-hapur (ose e dukshme : Offenbarkeit) e asaj që kthen të sigurtë, të qartë dhe të fortë një popull në veprimin dhe dijen e tij. Nga një e vërtetë e tillë merr origjinë vullneti autentik për të ditur. Dhe ky vullnet për dije përcakton kërkesën e dijes. Dhe nga këtej, së fundi, janë të matura caqet në brendësi të së cilave çështja dhe kërkimi autentik duhet të themelohen dhe legjitimohen (ose : të japin provat e tyre). Nga kjo origjinë rrjedh për ne shkenca. Ajo është e lidhur në nevojshmërinë e ekzistencës kombëtare (völkisch) të përgjegjshme përpara vetvetes… Të dish (wissend-sein) nënkupton për ne : të kesh fuqi mbi gjërat në qartësi dhe të jesh i vendosur për veprim. Ne jemi të shkëputur nga adhurimi i një të menduari pa truall (ose : themel) dhe pa fuqi. Ne marrim pjesë në fundin e një filozofie që e shërben atë. » Z. Heidegger ka të drejtë : nëse Hitleri do të kishte kuptuar diçka nga filozofia, kjo « e vërtetë » do t’i kishte shërbyer më mirë sesa biologjizmi i tij, ngaqë ajo gjithashtu do të kishte qenë e aftë për të justifikuar gjithçka, absolutisht gjithçka, dhe ngaqë, ndihmë shtesë dhe jo e papërfillshme, ajo do të kishte qenë më e lehtë për propagandën jashtë vendit, duke qenë më fisnike sesa doktrina e popullit zot falë Darwin-it.

Z. Heidegger nuk interesohet për këtë proces të cilin ai mund ta ngrinte kundër Hitlerit, dhe ai ka të drejtë : shtëpia është në falimentim, i zoti ka vdekur. Por është për tu habitur që ai dëshiron tani rolin e shërbëtorit të keq, madje të shërbëtorit të armiqve të të zotit, sepse ky i fundit nuk ka vlerësuar siç duhet mjetet që ai i vendoste në shërbim të ndërmarrjes. Kuptohet që ka patur prishje ; por nuk është Heidegger ai që e ka dëshiruar këtë. Ai nuk ka arritur atë çka ai kërkonte të paktën jo hapur, vendin e Führerit të Frymës Gjermane ; por kjo është një çështje ndërmjet atij dhe Hitlerit. Mund ta mbyllim.

 

Mund ta mbyllim, por jo të kalojmë përtej, pa patur provuar për të nxjerrë një mësim. Ajo çka është e frikshme në këtë çështje, kjo nuk është aq ajo çka Z. Heidegger ka bërë në fillim dhe nuk ka bërë pastaj, por mbrojtja e tij. Një profesor filozofie zbret në arenë : kjo është mirë ; ai gabon : kjo është njerëzore, sidomos ku jemi profesor ; ai deklaron të ketë qenë në krahun e mirë : është në këtë kjo që Z. Heidegger bëhet një rast përfaqësues, të mos themi të Gjermanëve, por sigurisht të një pjese të mirë të Gjermanëve.

Ish-ambasadori i Gjermanisë, von Hassel, ka qenë njëri nga drejtuesit e « rezistencës » gjermane, pasi pati shërbyer Hitlerin deri më 1938. Ai ka vdekur heroikisht, pas 20 korrikut 1944. Në ditaret e këtij antinazisti autentik që sapo janë botuar, gjendet një projekt paqeje, e shtruar përpara Anglezëve nga rezistenca gjermane, projekt i cili parasheh zëvendësimin e regjimit nacional-socialist me një Shtet të krishterë ; ajo që kërkohet në shkëmbim, kjo është vetëm njohja e bashkimit të Austrisë dhe e Sudeteve, me rivendosjen e Kufirit të 1914-ës në Lindje, - shkurt, ruhet gjithçka që Hitleri ka marrë ; këtë Hitler e ofrojmë në flijim, sepse ai nuk mund të shërbejë më për asgjë. Z. Heidegger arsyeton njëlloj : lufta për Gjermaninë e Madhe, shumë bukur ; diktatura, asnjë fjalë qortimi ; prishja me S.D.N., duartrokitje të zjarrta. Por Z. Heidegger ka qenë kundër materializmit biologjik, siç dhe von Hassel ka qenë kundër paganizmit.

Ka një ndryshim, por ai nuk është në favorin e Z. Heidegger : von Hassel ka luftuar kundër Hitlerit, Z. Heidegger ka kritikuar filozofinë e Rosenberg. Sigurisht, askush nuk i kërkon Z. Heidegger të rrezikojë jetën e tij në një ndërmarrje të pashpresë të rrezikshme ; por ai do të duhej të kuptonte që ai nuk mund të mbyllet në pozicionin e njeriut të shkencës dhe as të mbështillet në pafajësinë e Filozofisë së shkëputur nga çështjet e kësaj bote. Ai do të kishte një mbrojtje të shkëlqyer, nëse ai do të donte për të thënë që ai, filozof i vendimit, ka vendosur, në përgjegjësi të plotë, për atë çka ai e ka marrë për fat, që ai e ka kuptuar pastaj që ky fat nuk ishte gjë tjetër përveçse farsa e përgjakshme e mos-përgjegjësisë, e refuzimit të përgjegjësisë, tradhtimi i çdo autenticiteti, hileja e thatë dhe e neveritshme e një vullneti primitiv fuqie dhe, nga vetë këtej, mohuese e çdo « qenie vetvetja », që ky rrezik ishte një « ecje përballë vdekjes » por e vdekjes së të tjerëve – me një fjalë, që ai ka kuptuar. Por ai nuk ka kuptuar që ka vepruar dhe që ai është përgjegjës mbi planin e veprimit, plan mbi të cilin, në këtë botë, njerëzit do të peshohen dhe gjykohen. Dhe meqë ai nuk dëshiron ta kuptojë këtë pjesë që ai ka patur në një luftë të kotë dhe kështu dyfish mizore, gjithçka që ai nxjerr përpara është veçse shmangie dhe përvjedhje. Ai ka dëshiruar atë çka Hitleri ka dëshiruar (apo ky mendimtar i përgjegjësisë dhe i angazhimit do të ketë vendosur pasi ka lexuar Mein Kampf ? Kjo do ta rëndonte rastin e tij) ; sot, ai kërkon që të harrojmë, jo që të falim, çka kjo do të ishte e mundur, por që të harrojmë, njëlloj sikur toka mbarë të mos binte era kufomë, falë njeriut ndaj emrit të të cilit ai është betuar dhe i ka bërë studentët e tij për tu betuar. A është ai i gatshëm për të rifilluar nesër, me kushtin e vetëm që të zëvendësojmë biologjizmin me « të vërtetën » e tij ad usum tyranni ?

 

Ja rasti i qytetarit Heidegger. Por kjo është veçse një faqet e tij dhe, përsa i përket personit Heidegger, më pak i rëndësishmi. Fenomeni gjerman do të mund të studiohej edhe me shembuj të tjerë, aktualisht si dhe në letërsinë gjermane të pas 1918-ës : thërrasim frymën e historisë, kur besojmë të mbajmë fitoren ; flasim për rrethana, rastësi, zinxhire ngjarjesh, me dashje apo pa dashje sapo që kemi dështuar. Historia (me një H të madhe) është e pafalshme, deri në momentin kur kemi interes për të mos pranuar gjyqin e saj. Akoma dhe një herë, Z. Heidegger nuk është vetëm.

Ai është vetëm, kur bëhet fjalë për filozofi. Sepse ai është i vetmi filozof i rëndësishëm që të jetë mbajtur pro Hitlerit, dhe çështja më përvëluese është atëherë të diturit nëse vendimi politik angazhon filozofinë e tij dhe, nga filozofia e tij, filozofinë fare shkurt. Z. Loewith ka mbështetur idenë që politika dhe filozofia e Heidegger nuk ndahen, që nihilizmi i tij duhej të çonte tek nazizmi dhe që çdo filozofi e llojit që ai përfaqëson, çdo filozofi pa përjetësi, çon aty. Kjo filozofi ka shprehur thelbin e epokës, principi i saj « korespondon… ndaj gjendjes radikale të situatës reale », dhe « e vërteta e ekzistencës së pranishme gjermane gjendet gjithmonë, dhe madje më shumë sesa kurrë, tek Heidegger…, nëse (theksuar nga Z. Loewith) e vërteta e Dasein-it është realisht kohore dhe historike », me fjalë të tjera, nëse nuk ka Përjetësi.

Z. Loewith është ndopak në situatën e Balaam, këtij profeti të Moabitëve i cili ishte nisur për të mallkuar Izraelin dhe buzët e të cilit shqiptuan veçse bekime. Është e vërtetë që nëse ka një Përjetësi dhe kjo Përjetësi të jetë e arritshme nga njeriu, mendimi i nacionalizmit absolut – dhe është në këtë që thjeshtohet « e vërteta » heideggeriane në politikë – është ilegjitim dhe i paqenë : besimi transhendant, çdo besim transhendant, përjashton relativizmin etik dhe e ndalon njeriun, në mos për të vdekur, të paktën për të vrarë për gjërat e kësaj bote. Por nëse ngurojmë për të bërë « kërcimin e beftë » që, për Loewith, çon jashtë dëshpërimit (Z. Loewith flet për të tjera mundësi nga ajo e besimit në një krijues, pa treguar ndaj çfarë ai bën aluzion), dhe kërcim të cilin preferojmë për ta kërkuar së pari në këndejën, nuk do t’i lëshojmë filozofisë heideggeriane atë çka Z. Loewith i jep asaj. Heidegger do të kishte interpretuar një realitet të keq : nga këtej do të rridhte që ato të cilat, pa bërë kërcimin, nuk kanë qenë dakort me filozofinë e tij të historicitetit dhe me rrjedhojat e saj politike, do të kishin patur të drejtë për arsye filozofikisht të paqena. Të dënosh qëndrimin e Heideggerit, kjo do të ishte atëherë njëlloj sikur të donim për të parë në termometër shkakun e temperaturës, sepse që të dyja ngjiten njëkohësisht : as Heidegger, as Hitler nuk do të ishin më fajtorë për atë çka njëri ka kryer dhe tjetri miratuar, dhe Z. Loewith do të ishte vendosur vetë si gjykatës vetëm për të pafajësuar të pandehurit në kurriz të « fatalitetit » - apo të filozofisë pa Përjetësi. A duhet shkuar deri këtu ? A duhet thënë që faji i Heidegger ka qenë të qenurit filozof i mirë, në masën ku një filozofi e bazuar mbi kohën dhe historinë mund të jetë e mirë, dhe që me këtë filozofi, ai nuk mund të ishte pra nazist ?

Ne nuk e besojmë këtë. Është e qartë që nuk do të mund të diskutonim kalimthi dhe me rastin e një incidenti historik mundësinë e një filozofie jo të përjetshme ; është po aq e qartë që nuk mund të pohojmë që ajo është e pamundshme ; thjesht sepse Heidegger ka hyrë në partinë naziste. Ajo çka kemi të drejtë megjithatë për të kërkuar është që lidhja ndërmjet ekzistencializëm dhe nazizëm ka qenë ilegjitime tek Heidegger, sipas vetë principeve të filozofisë së tij, dhe se do të kryenim një gabim duke vendosur një lidhje shkak-pasojë, aty ku ka veçse arbitrare – dhe ku nuk mund të ketë tjetër gjë. « E vërteta » gjermane nuk mund të nxirret nga Qenia dhe Koha.

Ekzistencializmi i Heidegger (ne shmangim çështjen e të diturit në çfarë mase kjo aplikohet ndaj çdo ekzistencializmi pa transhendancë konkrete) është një filozofi e refleksionit, e cila, si çdo filozofi e refleksionit, shtrihet nga individi drejt Qenies[3]. Ajo kthehet kështu detyrimisht filozofi transhendantale, kërkim i kushteve të mundësisë së eksperiencës : ndërmarrje thelbësisht e dykuptimtë, sepse, nga njëra anë, ajo nuk mund të përkufizojë atë çka, për të, është një kusht, përveç nëse ajo mjaftohet me mos-kontradiktën e thjeshtë, dhe, nga ana tjetër, ajo duhet të themelojë realitetin (legjitim) mbi mundësinë e këtij realiteti, mundësi e cila, megjithatë, mund të zbulohet veçse në realitetin që duhej të legjitimohej dhe që sidoqoftë duhet të merret si i tillë, për të lejuar nisjen. Kështu që jemi të detyruar për të kaluar nga realiteti tek ideja e çdo realiteti të mundshëm (= Qenia), për të qenë të sigurtë që nuk jemi gabuar nga një zgjedhje e thelbësores, zgjedhje e cila do të ishte pashmangshmërisht një zgjedhje arbitrare. Mirëpo njeriu, i marrë si individ, nuk është në lartësinë e totum-it të mundësive : nëse ai mundet për ta menduar këtë totum, ai nuk mundet për ta realizuar atë, dhe ai është i lirë, sepse ai nuk është i mjaftueshëm ; po të ishte i tillë, ai nuk do të kishte më për të zgjedhur në jetën e tij, dhe fjala liri do të humbiste kuptimin e vet. Ai mund të flasë për Qenien, por ai mund ta bëjë këtë veçse formalisht, dmth, ai mund të zbulojë veçse format e zbrazëta në të cilat duhet të hyjë çdo realitet për që ky realitet të jetë realitet për të ; atë çka hyn aty, këtë ai nuk mundet as për ta parashikuar as për ta vendosur.

Nuk duket që një filozofi e cila merr pikënisjen e saj në individin të mundet për të arritur në të tjera rezultate, të paktën kjo nuk ka ndodhur deri tani. Nëse një fillim tjetër është i mundshëm, apo i nevojshëm, ne do të ruhemi këtu për ta shtruar këtë problem : Platoni, i cili e rezervon individin ndaj miteve të tij, Aristoteli, Hegeli kundërvihen ndaj Kant (dhe ndaj kantianit Heidegger) siç ndaj çdo tradite të krishterë në lidhje me këtë – dhe do të ishte ndopak e fryrë të dëshiruarit për tu mbajtur përsipër këtij sherri apo për të folur nga lart. Por asgjë nuk na detyron për të mbajtur një anë, kur bëhet fjalë thjesht për të folur mbi nazizmin e Heidegger. Filozofia e tij është një filozofi e refleksionit, dhe kjo mjafton për të treguar që ai gabohet, apo dëshiron të mashtrojë, nëse ai i jep arsye filozofike zgjedhjes së tij politike. Filozofikisht, filozofi transhendantal nuk mund ta bazojë vendimin e tij politik, ai mundet, më e shumta, të vërejë që disa zgjedhje janë të ndaluara për të, nëse ai dëshiron të rrijë besnik ndaj vetes : për shembull, ai nuk mund të përqafojë një teori politike e cila e bën njeriun, burim të së vërtetës, një gjë në botë. Megjithatë ai nuk merr në këtë mënyrë një rregull pozitiv sjelljeje – për një arsye nga më të thjeshtat, dmth që në politikë subjekti nuk është kurrë individi, por një komunitet historik apo i ardhshëm, dhe që si filozof transhendantal, ai nuk ka mjet që të lejojë për të vendosur cili është komuniteti – popull, shtet, racë, njerëzim, qytetërim, për të cituar këtu vetë disa mundësi – komunitet i cili, në planin historik, është komuniteti vendimtar. Filozofia e refleksionit, duke u kthyer drejt komuniteteve reale, mund të veçojë aty, si kusht të mundësisë së historisë, formën « komunitet » ; ajo nuk mund ta përmbushë këtë formë, ashtu siç ajo nuk mund të flasë për kohë dhe histori, por vetëm për kohësi dhe historicitet. Z. Heidegger, duke e identifikuar të vërtetën historike me vullnetin e popullit gjerman, ka bërë një zgjedhje që ishte e pranueshme në filozofinë e tij (nazizmi kthehet nacionalizëm radikal), siç ishte e tillë çdo zgjedhje ndërmjet mundësive politike : shpirtin filozofik në paqe, ai do të kishte mundur të bëhej anarkist, liberal, konservator, komunist (jo marksist ; duke patur parasysh që për Marx, siç dhe për Hegel, nuk bëhet fjalë për historicitet, por për historinë një dhe të tërë të cilën individi mundet vetëm ta pranojë apo ta refuzojë, por nuk mundet më për ta dashur të « krijohet » sapo që, në mendimin, ai ka kaluar në planin e universales.

E meta e ekzistencializmit heideggerian është pra, nëse i kërkojmë filozofisë për ta çuar njeriun në konkluzione historikisht dhe politikisht korrekte, të mospërcjellurit në asnjë vendim, ngaqë ajo çon vetëm tek vendimi. Ta vësh atë në shërbim të nacionalizmit radikal është një akt tërësisht arbitrar dhe i panevojshëm, ndonëse jo i ndaluar, legal, i paparashkruar, i kuptueshëm, pasiqë kjo filozofi e ndan radikalisht filozofin e mundësisë nga njeriu që duhet të jetojë në një realitet të cilin i tillë si filozof ai duhet ta ndalojë veten për ta kuptuar ndryshe sesa në formën e tij. Ka filozofi të cilat e angazhojnë filozofin : ajo e Heidegger nuk futet këtu. Ajo nuk është as reaksionare as revolucionare, ajo nuk e njeh politikën.

Dhe meqë Heidegger ka falsifikuar filozofinë e tij, meqë ai ka abuzuar me të për t’i shkëputur asaj një përgjigje të cilën ajo nuk mundet ta japë, patur parasysh që ajo as nuk mundet për ta shtruar këtë çështje – pikërisht për këtë mund të themi që filozofia e tij, në formën e saj të kulluar, është e vërtetë pjesërisht, e vërtetë në kuptimin që Hegel i jep kësaj fjale : ajo zbulon një pjesë të realitetit gjerman. Ajo nuk justifikon nacional-socializmin, por ajo shpreh këtë realitet gjerman, në të cilën ky nacional-socializëm ishte i mundshëm, pa qenë për këtë i nevojshëm. Thënë ndryshe, ajo tregon realitetin e individit të veçuar që nuk ka më dhe akoma traditë. Sepse individi i veçuar dhe i cili e kupton veten si të tillë duhet njëkohësisht të mohojë gjithçka që e kapërcen atë konkretisht dhe të mos mundet për të hequr dorë nga transhendanca që kthehet kështu një kategori formale e ekzistencës, një ekzistencial : ai gjendet gjithmonë përballë diçkaje, sa kohë që ai flet dhe mendon dhe nuk ka hyrë në ekstazën mistike, dhe kjo diçka, kjo transhendante, mund t’i duket atij vetëm nën llojet e Hiçit, të asaj çka i ndodh atij dhe që e mohon atë, me një fjalë : të dhunës. Shpërblimi këtu është pohimi i lirisë formale, i vendimit formal, i pranimit formal të një fati formal. Dhe është një fakt kjo që fryma gjermane ishte e dehur me « vendimizëm » (decisionnisme) shumë më përpara Heidegger. Por nga këtej nuk rrjedh aspak që « vendimizmi », « tragjizmi » të jetë dashur të shpien tek nazizmi : dhuna është një moment i politikës (dhe i realitetit), ajo nuk është detyrimisht tërësia e kësaj politike, dhe njerëzit (jo individi) munden për të dashur ta nënshtrojnë atë. Por ky vendim konkret supozon një ardhmëri konkrete, të cilën Heidegger, filozof i së tashmes gjermane të ndërmjet dy luftërave (asaj të 1870 dhe asaj së fundit) nuk dëshiron për ta marrë parasysh, sepse, atëherë, kjo ardhmëri do të duhej ta braktiste këtë ekzistencë e cila « është gjithmonë e imja » : e mira dhe e keqja nuk dallohen në politikë, dallimi nuk ka madje asnjë kuptim për filozofin transhendantal të ekzistencës ; siç dhe vendi i tij, ai mund të kthehet nazist, pa qenë i shtyrë aty nga filozofia e tij e vet, jo më tepër sesa populli nuk ka qenë i shtyrë aty nga realiteti i tij.

Një filozofi e cila niset nga individi konkret dhe që e kupton termin « konkret » në mënyrë naive si një të pathjeshtueshme (ne kemi thënë përse nuk mundet ajo ndryshe), mbërrin tek vendimi i zbrazët, vendim për vendimin, tek çfarëdo vendimi, ose tek besimi transhendant (në lidhje me filozofinë) : si do t’i shpëtonte ajo kësaj, meqë ajo i ndalon vetes edhe theoria-në greke edhe veprimin e arsyeshëm modern ? Por do ta kishim gabim për të parë në këtë rezultat një hedhje poshtë të ekzistencializmit heideggerian ; ai konstituon dialektikën e vërtetë të individit i cili do që të mbahet në qenien e tij, ashtu siç ai e kap atë përnjëherë, dhe përfundon së gjenduri i hedhur nga ai nuk e di kush në ai nuk e di çfarë – përveç nëse ai heq dorë ndaj refleksionit (edhe mbi kategoritë formale të ekzistencës) siç ndaj një mbeturine përjetësie dhe kthehet drejt shprehjes së menjëhershme të ndjenjës, drejt poezisë. Nëse dëshirojmë tjetër gjë, duhet folur për njerëzit në këtë botë, jo për ekzistencën dhe botësinë e saj, individi duhet bërë problemi dhe jo baza e filozofisë. Përndryshe, gjithçka është e lejuar ndaj individit dhe ndaj të gjitha grupeve (të cilat janë të formuara vetëm nga pëlqimi arbitrar i anëtarëve të tyre) sepse asgjë nuk është « e kuptimtë » : liri për gjithçka, liri për çfarëdo.

 

Këto konsiderime nuk janë bërë për të mbështetur mbrojtjen e Z. Heidegger ; ato trajtojnë ekzistencializmin heideggerian. Ndoshta filozofia e tij është e pamjaftueshme : ajo nuk do të mund të cilësohej e paqenë thjesht ngaqë Heidegger ka aderuar në partinë naziste, sepse për të provuar që ajo është e pamjaftueshme, duhet vërtetuar që një filozofi e tërësisë konkrete – e cila do të ishte e mjaftueshme – mund t’i ruajë individit vendin nga i cili ai nuk do të heqë dorë më. Rëndësia e ekzistencializmit heideggerian qëndron në faktin që ai e ka shtruar këtë çështje me një forcë të cilën filozofia e zotëron veçse në momente kyçe të historisë. Kjo meritë i takon atij, dhe ajo është e madhe. Që autori i saj të jetë një individ bindjesh politike që ne këmbëngulim për t’i cilësuar të papranueshme, që ai të ketë mbajtur, deri më sot, një qëndrim të cilin, sipas këndvështrimit, mund ta karakterizojmë si revoltuese apo thjesht groteske, kjo nuk e kursen askënd për ta marrë filozofinë e tij seriozisht – le të qe kjo dhe për ta hedhur atë poshtë : problemet e saj janë probleme për çdo filozofi serioze, ndonëse ato të mos kenë detyrimisht funksionin e themeleve që ato zotërojnë tek ai, ose, për ta thënë këtë në një mënyrë tjetër, që të mos jetë aq e qartë që filozofia të duhet për tu nisur nga cogito-ja e interpretuar si subjektivitet individual. Filozofia e tij është e rëndësishme, sepse ajo detyron për të rimenduar konkretisht probleme të cilat, formalisht, janë gjithmonë të njëjtat. Filozofi Heidegger do të duhet për tu dëgjuar, madje dhe sidomos kur nuk jemi dakort me të.

Përsa i përket njeriut dhe « edukatorit » të rinisë, mjafton ndoshta për të cituar, si përmbledhje, një faqe të librit të Karl Jaspers mbi « Çështja e Fajësisë » (Zurich). Kjo faqe përmban thelbësoren.

« Shumë intelektualë të cilët, më 1933, janë futur në lojë, të cilët kërkonin për veten e tyre një vend drejtues, të cilët, publikisht, kanë marrë qëndrim për pushtetin e ri dhe Weltanschauung-un (konceptim bote – shën. im, UN) e tij – të cilët, më vonë, duke qenë nxjerrë në plan të dytë, qenë të pakënaqur – të cilët ruanin, megjithatë, në shumicën e rasteve, një qëndrim pozitiv, deri atëherë kur, nisur nga 1942, rrjedha e ngjarjeve ushtarake solli të parashikueshme daljen e pafavorshme dhe i bëri ato, vetëm atëherë, kundërshtarë të plotë, këto intelektualë kanë ndjenjën e të paturit vuajtur nën nazistët dhe të të qenurit pra të kualifikuar për të ardhmen. Ato vetë e heqin veten për antinazistë. Përgjatë tërë këtyre viteve, ekzistonte një ideologji e këtyre nazistëve intelektualë : [ata pohonin që ato] shpallnin të vërtetën në gjërat e mendjes, pa paragjykime – ato ruanin traditën e frymës gjermane – ato pengonin shkatërrime – ato arrinin në rezultate të dobishme në imtësi.

« Mundet që midis këtyre njerëzve të takojmë ndër ato që janë fajtorë nga njëfarë ngurtësie në mënyrën e tyre të të menduarit, mënyrë e cila, pa u identifikuar me doktrinat e partisë, ruan megjithatë në të vërtetë qëndrimin intim të nacional-socializmit nën dukjen e një ndryshimi dhe një armiqësie, pa u qartësuar më tej. Mundet që nga kjo mënyrë të menduari të ketë një ngjashmëri të thellë ndërmjet tyre dhe asaj çka ishte në thelb në nacional-socializmin çnjerëzore, diktatoriale, nihiliste pa ekzistencë. Kush, duke qenë në moshë të pjekur, kishte më 1933 këtë bindje të thellë e cila nuk vinte vetëm nga një gabim politik, por dhe nga një ndjenjë e ekzistencës (Daseins-gefühl) e ndezur nga nacional-socializmi, ky njeri pra do të jetë i pastruar veçse nga një rishkrirje e qenies së tij, rishkrirje e cila do të duhet ndoshta të shkojë më larg sesa ngado gjetkë. Pa këtë, ai që ka patur këtë qëndrim më 1933 do të mbetej pa qëndrueshmërinë e brendshme (brüchig) dhe i prirur për fantazma të tjera. Cilido që ka marrë pjesë në çmendurinë e racës, cilido që ka përqafuar iluzionin e një rindërtimi të bazuar mbi mashtrimin, cilido që pajtohej me krime tashmë të kryera – ky pra, nuk është përgjegjës vetëm politikisht, por ai duhet të ripërtërihet moralisht. Nëse ai do të mundet për këtë, qysh do ta kapë ai fillin, kjo i takon vetëm atij dhe nuk mund të gjykohet aspak nga jashtë. »

Ajo çka mund të jetë e gjykuar së jashtmi – sidoqë të jetë në çështje morali – është përgjegjësia politike që një njeri ka marrë përsipër, dhe kuptimi që ai i jep kësaj përgjegjësie kur bëhet fjalë për të pranuar pasojat e akteve të tij dhe për t’i ndrequr ato në masën e së mundshmes. Për aq kohë që Z. Heidegger vazhdon për të mos dashur të shohë pikën e parë dhe, për rrjedhojë, të refuzojë për të parashikuar të dytën…                   



[1] Les Temps modernes, viti i 2-të, n° 14, f. 343.

[2] Po aty, n° 4, f. 717.

[3] Ne flasim vetëm për veprën heideggeriane të përparme ndaj 1933.

 

 

 


Web Hosting · Blog · Guestbooks · Message Forums · Mailing Lists
Allwebco Web Templates · Build your own toolbar · Site Building Articles · Audio, Fonts, Clipart
powered by a free webtools company bravenet.com