Dallimi qenie – qënie
E kemi thënë më lart, e tërë filozofia e Heidegger sillet rreth çështjes së qenies. Le të hyjmë në disa hollësira gjuhësore sepse përkthimet filozofike shqipe të deritanishme, duke lënë mënjanë modestinë e rreme, lënë shumë për të dëshiruar. Në filozofi (sidomos atë heideggeriane) ka dy nocione krejt të ndryshme, e megjithatë aq të afërta. Fjala është për termin qenie. Ç’kuptojmë ne shqip me termin qenie ? Këtu ekziston konfuzioni më i madh që mund të mendohet. Të gjitha përkthimet në shqip përdorin të njëjtin term për diçka që është dhe për të qenurit e kësaj diçkaje. Ato përdorin termin qenie. Dhe kur në këto përkthime gjen shprehje si « qenia e qenies », këtu nuk dimë më për ç’bëhet fjalë. Me përkthimin nga e njëjta fjalë e dy termave krejt të ndryshëm, është e kotë të pretendohet për të kuptuar qoftë dhe një rresht të vetëm nga filozofia, aq më tepër nga ajo e Heidegger.
Le të hyjmë pak më thellë. Kur ne shohim diçka që ekziston realisht, për shembull një pemë në lule, ne themi : pema është. Në këtë « është » duhet dalluar dy gjëra. E para, që pema është diçka që ndodhet aty përballë, pra që pema është një e qenë, e qenësishme. Dhe e dyta, që meqënëse pema është, dmth aty përballë, atëherë ajo ushtron një të qenur, një veprim të qenuri. Pra, ne vërejmë këtu dy nocione krejt të ndryshme por që shkojnë gjithmonë bashkë. Për atë që është, unë kam propozuar termin qënie, dhe për veprimin e të qenurit të kësaj qënie, unë kam zgjedhur termin qenie. Kjo e fundit, është këtu në trajtën emërtore, dhe jo foljore. Në trajtën foljore, « qenie » është ose si folje : të jesh, ose si emër foljor : të qenurit.
Kështu, ne do të hasim shpesh shprehje të tilla : qenia e qënies, e cila, e zbërthyer, jep : të qenurit e diçkaje që është. Këto dy terma, qenie dhe qënie, shkojnë gjithmonë bashkë : kur ne themi qenie, ne kuptojmë gjithmonë qenien e qënies, dhe kur themi qënie, ne kuptojmë qënien e cila ka një qenie.
Pa këtë dallim kapital për hyrjen në studimin e filozofisë, është e kotë të bëhet qoftë dhe përpjekja më e vogël pasiqë të gjitha janë të destinuara për të dështuar.
Këto dy terma propozohen si të tilla, sepse është e pamundur për tu përdorur termat deri tani në fuqi në përkthimet filozofike shqipe. Terma si qenësia, e qenësishmja, etj., janë shumë të rëndë dhe për më tepër ngatërrohen me terma të tjerë të cilët kanë dhe ato vendin e tyre. Ideja ka qenë që të përcillen tek lexuesi dy emra, qenie dhe qënie, të cilët mund të lakohen siç çdo emër tjetër, dhe jo një emër dhe një mbiemër, të cilët, nën këtë formë, do të krijonin një lëmsh tejet të ngatërruar dhe tepër të lodhshëm për lexuesin.
bravenet.com