Një bisedë me Emmanuel Faye
« Një vepër antisemite »
Le Nouvel Observateur. – Përse keni vendosur të lëshoni sot çështjen e angazhimit nazist të Heidegger ?
Emmanuel Faye. – Do të thoja më tepër që puna ime është ajo e një filozofi që ka pyetur veten mbi themelet e veprës së Heidegger. Hugo Ott dhe Victor Farias na kishin sqaruar mbi angazhimin politik të Heideggerit si njeri. Mbetej çështja kyçe për të ditur ku ishim me veprën. Pas leximit të kurseve të botuara tani vonë në gjermanisht, kam kuptuar që në vetë themelet e tij mësimi i Heidegger ngatërrohej me shkatërrimin e njeriut të programuar nga hitlerizmi. Kështu ai bën mbrojtje të hapur të « vizionit të botës » të Führer. Ai flet veç kësaj për ta gjetur armikun në popull dhe për ta « asgjësuar atë plotësisht » – siç tek Jünger, armiku i fshehur në popull përshkruan atëherë para së gjithash çifutin e asimiluar. Mirëpo vetë Heidegger ka përgatitur planin e « veprave të plota » të tij, duke përfshirë këto kurse naziste. Në këtë, ai shkon madje më larg sesa Carl Schmitt, i cili nuk i ka ribotuar tekstet e tij më të shënuara nga nazizmi.
N. O. – Çfarë sillni ju si elemente të panjohura më parë dhe që i mungojnë publikut francez për të vlerësuar nazizmin e Heidegger ?
E. Faye. – Unë kam treguar rëndësinë e lidhjeve që e lidhin atë, qysh në vitet 1920, në epokën e « Qenie dhe Kohë », me autorë racistë dhe pronazistë si Erich Rothacker, Alfred Baeumler apo Ludwig Clauss. Por sidomos jam mbështetur mbi dy seminare të pabotuara më parë. Në atë të dimrit 1933-1934, dhënë para një auditori të përzgjedhur ku një pjesë e madhe e studentëve mban uniformën e SS apo të SA, Heidegger jep një kurs « edukimi politik » në synim të formimit të një « fisnikërie të re » për Rajhun III. Ai përdor marrëdhënien ndërmjet Qenies dhe Qënies për të përshkruar marrëdhënien politike ndërmjet shtetit të Führer dhe popullit. Përsa i përket popullit, ai e përkufizon atë si « unitet gjaku dhe race ». Hitlerizmi është pra themeli i mësimdhënies së tij.
N. O. – Heidegger do ta justifikojë aderimin e tij në partinë naziste duke pohuar që ai kishte dashur të mbronte autonominë e universitetit gjerman kundrejt pushtetit hitlerian. Një tezë e paqëndrueshme sipas jush...
E. Faye. – Përkundrazi, tek ai mund të flasim për një vullnet politizimi radikal të universitetit gjerman. Ai bashkëpunon aktivisht për vendosjen e « principit të Führer » në universitet : rektorët nuk janë më të zgjedhur, por të emëruar nga shteti nazist. Më e rëndë akoma : Heidegger mburr « Të Drejtën e Re të studentëve gjermanë » e cila vendos një numerus clausus antisemit dhe racial.
N. O. – Megjithatë, ai jep dorëheqje mjaft shpejt nga rektorati. Për ç’arsye ?
E. Faye. – Heidegger heq dorë për solidaritet kundrejt dekanit që ai e kishte emëruar në krye të fakultetit të drejtësisë, Erik Wolf. Ketë dekan na e kanë paraqitur si një jo nazist. Por nuk është aspak kështu. Ajo për çka Erik Wolf qortohet nga autoritetet është përkundrazi aktivizmi i tij i tepruar. Shkrimet e Wolf vënë në dukje një jurist ultranazist, të angazhuar në justifikimin e racizmit dhe eugjenizmit, dhe që e mban veten si pasues të Carl Schmitt et d’Alfred Rosenberg. Më 1945, Wolf do të shpjegojë veç kësaj që ai ka aderuar në nazizmin vetëm nga ndikimi i Heidegger. Që të dy pra kanë të përbashkët të njëjtin ekstremizëm.
N. O. – Në lidhje me antisemitizmin, ju çvarrosni disa elemente të tmerrshme...
E. Faye. – Pothuaj në çdo faqe të librit tim gjejmë pohimin e faktit që themelet e veprës së tij janë të një rendi racial dhe antisemitizmi është aty i pranishëm. Kemi letrën e 2 tetor 1929 ku Heidegger ngrihet kundër « çifutërimit në rritje të jetës shpirtërore gjermane », dhe mjaft raporte universitare në të cilat ai përdor argumente raciste dhe antisemite. Gjithashtu do të duheshin cituar dhe tekstet e shumta ku ai e vë në lojë armikun si « Aziatiku », fjalë e cila, në gjuhën naziste, përshkruan para së gjithash çifutët. E rëndë gjithashtu është intensiteti i lidhjeve të vendosura nga Heidegger me shoqatën e studentëve antisemite e cila përcillte në tërë Rajhun veprimin « kundër frymës jo gjermane » dhe organizonte djegiet e librave.
N. O. – A është megjithatë e mundshme të kundërshtosh në veprën e Heidegger çdo vlerë filozofike dhe ta thjeshtosh autorin e « Qenie dhe Kohë », frymëzues i një pjese të mirë të filozofisë bashkëkohore, në një lloj ekstremisti hitlerian ?
E. Faye. – Qysh më 1946, një filozof si Karl Löwith, që e kishte njohur mjaft mirë Heideggerin, pohonte që ai ishte « më radikal sesa Zj. Krieck dhe Rosenberg ». Fatkeqësisht, pritja dhe pranimi i Heidegger jashtë Gjermanisë ka mbetur e varur nga ajo çka kemi përkthyer dhe nga mënyra me të cilën është bërë kjo. Është dashur pra të analizohen mjaft shkrime akoma të panjohura në Francë, çka unë e kam bërë në librin tim. Kam zbuluar që në qershor 1940 Heidegger e paraqet « motorizimin e Wehrmacht » si « një akt metafizik ». Në të njëjtën epokë, në shkrimet e tij mbi Ernst Jünger, ai përmend pozitivisht « qenien-racë » të ngritur « në qëllim të fundit » dhe flet për « thelbin akoma të pa pastruar të Gjermanëve ». Më 1942, ai do të shkojë deri për të legjitimuar « përzgjedhjen raciale » si « metafizikisht të nevojshme ». Një vepër e cila mburr, nën emrin « metafizikë », çmendurinë vrastare të nazizmit nuk mund të quhet në asnjë mënyrë si filozofike ! E tillë është çështja së cilës i përgjigjet libri im.
Emmanuel Faye, i biri i filozofit Jean-Pierre Faye, është lektor në universitetin e Paris-X-Nanterre.
Bisedoi : Aude Lancelin
Një bisedë me François Meyronnis
« Përse kaq shpifje ? »
Njohës i madh i filozofisë së Heidegger, drejtuesi i revistës « Ligne de risque » përgjigjet ndaj akuzave të sjellura nga Emmanuel Faye
Le Nouvel Observateur. – A sjell ky libër elemente të reja që lejojnë për të kapur më mirë raportin ndërmjet Heidegger dhe nazizmit ?
François Meyronnis. – Shumë gjëra ishin tashmë të njohura, dhe përsa i përket asaj çka unë zbuloj, nuk di ç’të bëj me të duke patur parasysh që dosja është ndërtuar veçse si akuzë, dhe në një mënyrë kaq dashakeqase saqë gjithçka që jepet aty për tu lexuar duhet marrë me kujdes. Mënyra me të cilën janë interpretuar konceptet kyçe të « Qenie dhe Kohë » hedh detyrimisht një dyshim mbi atë çka autori zbulon më vonë në seminare të pabotuara në frëngjisht.
N. O. – Për shembull ?
F. Meyronnis. – Dasein-i, koncept qendror tek Heidegger, është mungesë kryekëput përkatësie. Eh mirë, Emmanuel Faye na shpjegon që prapa kësaj fjale Heidegger do të kuptonte në fakt një komunitet gjerman të ngulur në një truall dhe në një gjak në një perspektivë nacional-socialiste. Nuk ka asgjë të tillë në këtë libër të 1927. Ky interpretim racialist është krejt absurd.
N. O. – Heidegger hyn megjithatë në partinë naziste, dhe gjurmët e këtij angazhimi i gjejmë deri në shkrimet e tij filozofike. Seminaret e 1933-1935 të zbuluara nga utori janë mjaft turbulluese në lidhje me këtë...
F. Meyronnis. – Eshtë e qartë që nga 1933 deri 1934 rektori Heidegger pranon t’ia nënshtrojë universitetin qëllimeve të partisë naziste. Në këtë, ai tregohet plotësisht mos-besnik ndaj lendilmit të tij. Çuditërisht, ai e identifikon saktësisht lindjen e lëvizjes nacional-socialiste si « fillim i ri » të cilin ai e pret me dëshirë. Nga një lloj « marrëzie », siç do të thotë ai vetë pas luftës. Sado i madh që të jetë mendimtari, ai është gjithashtu një njeri që nuk ka patur mundësi për të kuptuar mirë një situatë politike konkrete, për shkak të mos-interesimit të tij të vazhdueshëm.
N. O. – Por si qe e mundur një verbim i tillë në lidhje me synimet kriminele të regjimit ?
F. Meyronnis. – Eshtë e lehtë ta thuash këtë pas 1945. Shumë më pak kur e vëmë veten në hapësirën intelektuale të ndërlikuar të epokës, dhe atmosferën e saj të ndezur nacionaliste. Në njëfarë mënyre, mendimi i Heidegger rrjedh nga romantizmi gjerman, i cili ka për projekt të nënkuptuar vendosjen e Gjermanisë në qendër të fatit europian, dhe për këtë fshirjen e romanitetit dhe të Biblës. Nisur nga momenti ku një revolucion i dukshëm shpërthen në Gjermani, fatalisht Heidegger do ta mendojë si një lloj shansi. Qortimi i vërtetë që mund t’i bëhet atij është për të mos kuptuarit e asaj çka ndodhte me çifutët, dhe kjo ngaqë ai përqafonte ekskluzivisht këndvështrimin gjerman. Populli i zgjedhur për të është populli gjerman. Deri në fund kjo do të jetë pika e verbimit të Heidegger. Është e qartë megjithatë që në lidhje me koordinatat e epokës ai nuk është antisemit. Ai nuk aderon në antisemitizmin biologjik, në tërë këtë delir racist, ai është larg kësaj.
N. O. – Ç’do tu përgjigjeshit ju atyre që mbështeten mbi endjet politike për të hedhur poshtë plotësisht mendimin e tij ?
F. Meyronnis. – Sinqerisht, nuk besoj që të jetë nga skrupujt moralë kjo që atij t’i qortohet me kaq zjarrtësi angazhimi i tij nazist. Mendimi i Heidegger shkakton dukshëm një formë mërie. Një qerre e tillë shpifjesh, një tërbim i tillë për të dashur të mohohet dhe vetë ekzistenca e veprës së tij, e tëra kjo sugjeron këtë që mendimi i tij fsheh brenda vetes diçka thellësisht shqetësuese për epokën. Kjo është aq më tepër e dukshme që të duash të fshish Heideggerin është njëlloj siç të eleminosh Sartre, dekonstruksionin e Derrida, Lacan, dhe gjithashtu Foucault, aq shume mendime janë ushqyer në të. Kjo quhet një obskurantizëm i vërtetë.
N. O. – Ku duket kjo që vepra e tij është sipas jush një nga udhët më revolucionare të mendimit të shekullit të XX-të ?
F. Meyronnis. – Ai është një ndër mendimet e vetme të cilat lejojnë sot për të kuptuar katastrofën në zhvillim e sipër, dmth ardhmërinë planetare të nihilizmit europian. Kjo nënkupton mbërritjen e një ere ku teknika vendos për gjithçka, duke e vënë në shenjestër qenien njerëzore. Dhe kjo shpjegon karakterin e përbindshëm të historisë botërore në terma që nuk janë as historikë as moralë. Kjo është sidomos ajo çka bezdis përkrahësit e diskutimit humanist, të cilët do të donin ta thjeshtonin nacional-socializmin në një të dhënë historike të caktuar, dhe të mendonin që ajo çka luhej atëherë është thyer më 1945. Qysh nga Lufta e Parë botërore të paktën, diskutimi humanist është një llafazanëri e zbrazët. Heidegger lejon, ai, për ta menduar nihilizmin si proces të përgjithshëm shkretimi. Ky proces merr formën e ekonomisë kur kjo e fundit thjeshton çdo gjë në shifër, apo të biopolitikës kur lajmërohet një rikalibrim i llojit njerëzor. Në këtë këndvështrim, njeriu nuk është më subjekt i historisë, por thjesht material i uzinueshëm. Nuk mundemi megjithatë ta thjeshtojmë Heideggerin në një lajmërues të « fundit të historisë ». Ai lejon madje për të mënjanuar ata të cilët lajmërojnë fitoren përfundimtare të shtirjes. Në momentin më të keq mbetet gjithmonë për të mundësia e Ereignis-it, dmth e mrekullisë, e shpëtimit. Ky është një mendim i vështirë, dhe disa kujtojnë se mund të hyjnë aty duke e falsifikuar atë shpirtngushtësisht. Heidegger është megjithatë një qenie e cila ka një formë integriteti të thellë. Ai e vë veten përballë asaj që është për tu menduar, dhe ai e mendon atë deri në fund.
Bisedoi : Aude Lancelin
bravenet.com