Ontologjia
Etimologjia e fjalës ngjitet tek greqishtja e vjetër to on, « të jesh » (qenie), dhe logos, « diskutim, gjuhë ».
Ontologjia është shkenca e qenies si qenie. Ajo është një nocion që paraqet një vështirësi të veçantë, sepse shfaqja e kësaj shkence nuk është bashkëkohore me termin që e ka përshkruar pastaj atë. Fjala « ontologji » shfaqet në fakt veçse në fillim të shekullit XVII në artikullin « abstractio » të Lexicon philosophicum të Rudolf Göckel (më 1613 saktësisht), ku ajo është përkufizuar si filozofia e qenies apo e transhendentalëve, dhe është rimarrë nga Johannes Clauberg, për të përshkruar shkencën e parë (që ai e quan gjithashtu ontosophia). Duke mos patur Zotin për objekt, ajo është një shkencë universale ku bën pjesë teologjia si shkencë e veçantë. Duke mos u kufizuar në asnjë rajon të përcaktuar të qenies, ajo korespondon pra me shkencën që përmendte Aristoteli duke thënë : « ka një shkencë që studion Qenien si qenie, dhe cilësitë që i përkasin asaj thelbësisht. Ajo nuk ngatërrohet me asnjë prej shkencave të quajtura të veçanta, sepse asnjë prej këtyre shkencave nuk e konsideron në përgjithësi Qenien si qenie, por, duke prerë njëfarë pjese të Qenies, ato studiojnë vetëm cilësinë e kësaj pjese ». Megjithatë, tradita aristoteliciane e ka kuptuar nganjëherë këtë « ontologji » aristoteliciane siç përshkruese njëkohësisht të « metafizikës së përgjithshme », që ka në ngarkim diskutimin mbi qenien, dhe të « metafizikës së veçantë », që trajton shpirtin, botën dhe Zotin. Mirëpo, në rastin e dytë, nuk bëhet më fjalë për ontologji por për ontoteologji, dmth për një shkencë që parasheh në të njëjtën lëvizje tërësinë e qenies, dhe Qenien supreme, hyjnore. Sipas Heidegger, ontoteologjia do të kishte të bënte me historinë e filozofisë qysh nga Aristoteli, ky i fundit duke studiuar në të njëjtën kohë qenien si qenie (ontologji) dhe qenien më të lartë (teologji). Kjo tërheqje e tërësisë së metafizikës mbi një ontoteologji, tërheqje e cila nuk do të kishte lejuar shtrimin e një pyetësimi ontologjik të vërtetë, është megjithatë për tu diskutuar. Nga njëra anë, termi ontoteologji gjendet, në një kuptim të ndryshëm, tek Kant, duke përshkruar një shkencë e cila pretendon të njohë Zotin nga koncepti i tij, pa kaluar nga eksperienca, dhe që bie në goditjen e kritikës kantiane të « provës ontologjike ». Nga ana tjetër, kuptimi që Heidegger i jep këtij termi nuk është me origjinë aristoteliciane, por vjen më tepër nga leximi scotist i Avicenne : është në fakt tek Duns Scot kjo « që metafizika është paraqitur si një shkencë e cila ka për objekt të përbashkët qënien dhe për objekt të përveçëm Zotin ». Të caktuarit ndaj ontoteologjisë një trajektore historike që shkon nga Duns Scot tek Kant lejon kështu për të emërtuar « ontologji » shkencën që Aristoteli paraqet në fillim të librit Г të Metafizika të tij, dhe që dallohet nga filozofia e parë që është teologji. Kjo e fundit mbetet megjithatë horizonti drejt të cilit do të duhej të shtrihej ontologjia, sepse, në thelbin e saj të fundit, qenia është një, dhe është vetëm kufizimi i mirëfilltë i domethënies sonë ajo e cila vë në vend larminë e pranimeve të saj. Nuk ka ontoteologji tek Aristoteli sepse teologjia është e pamundur për ne : « Teologjia e Aristotelit nuk është një ultra-ontologji, por përkundrazi, është ontologjia e tij ajo e cila konstituohet në këndejën e një teologjie së cilës ajo nuk mundet për t’iu bashkuar. Problemi i Aristotelit nuk është ai i kapërcimit të ontologjisë, por i degradimit të teologjisë ».
Ontologjia dallohet nga teologjia në këtë që diskutimi kategorial nuk ka mbërthim mbi qenien hyjnore, ndërsa shkenca e qenies si qenie kalon nga vënia në marrëdhënie, në rrafshin e cilësive, të kategorive të ndryshme, vënie e cila është e destinuar për t’i gjetur ilaçin pamundësisë së një intuite të drejtpërdrejtë të qenies, dhe nga më qendrorja e këtyre kategorive, « substanca » (ousia), « e parë » (individi) ose « e dytë » (gjini dhe lloj). Ontologjia është pra një ousiologji, e cila trajton qenie të përcaktuar dhe jo rastësore (ku asnjë shkencë nuk është e mundshme), dhe ajo ndryshon nga logjika (që e studion qenien si të vërtetë). Ajo është gjithashtu një refleksion mbi caqet e domethënies dhe gjuhës, « sepse qenia e mirëfilltë merret në shumë kuptime ». Kështu, pyetësimi ontologjik është njëkohësisht një refleksion mbi gjuhën, sepse njohja jonë nuk do të mund të ishte e pavarur nga kjo gjuhë, dhe një konstruksion historik, sepse kërkimi i së vërtetës kalon detyrimisht nga ontologji të ndryshme.
Duke rimarrë pohimin aristotelician të kuptimeve të ndryshme të fjalës « qenies », Heidegger tregon që konstituimi i një ontologjie të vërtetë supozon para së gjithash që paragjykimet në lidhje me çështjen e qenies të jenë të shfaqura si të tilla. Para së gjithash, koncepti qenie nuk hyn në një lloj, dhe nuk duhet besuar që përgjithësia e saj të lejojë për ta qartësuar atë, sepse ajo është koncepti më i errët. Pastaj, ideja sipas së cilës qenia është « e papërkufizueshme » nuk duhet të na kursejë nga të vënurit e saj në çështje, sepse kjo ide nënkupton vetëm këtë gjë : që qenia nuk mund të jetë e pyetësuar nisur nga kategoritë. Ky paragjykim i dytë e orienton ontologjinë mbi një ousiologji të destinuar për të dështuar. Paragjykimi i fundit është ky që pohon që qenia « vetëkuptohet », çka kjo do të na largonte nga të pyetësuarit mbi qenien e qënies. Nga këtej, ontologjia themelore, e konsideruar si analitikë ekzistenciale e Dasein-it, qëndron në të kapërcyerit e këtyre paragjykimeve me synimin për tu shfaqur si vetë « pozicioni » i çështjes.
bravenet.com