A mund të flasë Heidegger në shqip ?
HEIDEGGER NE SHQIP. Kështu e kam menduar këtë website kushtuar mendimtarit më të madh të shekullit të XX-të, Martin Heidegger. Një filozof i cili nuk pushon së paturi nën ndikim filozofinë e sotme perëndimore. Aq sa në Francë ka zëra që ngrihen kundër kësaj fryme mbytëse heideggeriane, e cila bën që nuk mund të mos kalosh nga Heidegger nëse dëshiron të merresh ndopak me filozofi. Sot, Heidegger është ndoshta filozofi më i referencuar në botë, ku mendimi i tij ka këtë të veçantë që ai studiohet në pesë kontinentet, në universitetet e USA si dhe në ato të Hong-Kong, në Bolivi si dhe në Kroaci. Shkurt, kudo që filozofohet, aty gjen Heideggerin. Siç ka thënë filozofi tjetër i madh i shekullit XX, Emmanuel Lévinas, "të filozofosh pa Heidegger, kjo është naivitet".
Atëherë si të shpjegohet një tërheqje e tillë nga mendimi heideggerian ? Kjo tërheqje vjen ngaqë ai mendon të vetmen gjë që, në sytë e tij, meriton të mendohet para së gjithash : QENIA. Për gjashtëdhjetë vjet me rradhë ai ka ecur në këtë drejtim : të nxirret në pah kuptimi i qenies. Por, ç’është Qenia, cili është kuptimi i qenies së njeriut, i qenies së qënies, lidhja midis tyre? Në përkthimet e deritanishme filozofike në shqip, termi qenie përshkruan diçka që është, njeriun, kafshën, sendin, pra gjithçka që ka një ekzistencë reale. Por kjo është të humbasësh kryekëput, akoma pa filluar mirë, në udhëkryqet e moskuptimeve dhe keqkuptimeve të termave të përdorur.
Heidegger qe i pari ai që solli dhe bëri të qartë dallimin ndërmjet diçkaje që është dhe të qenurit të saj. Dhe Heidegger niset nga kjo : duke qenë se në pjesoren e një folje, psh kur ne flasim për një pemë në lule që ajo është duke lulëzuar, ne dallojmë dy gjëra : pemën në lulëzim, dhe vetë të lulëzuarit, Heidegger ka idenë e shkëlqyer që e njëjta gjë mund të thuhet dhe për foljen « të jesh ». Aq më tepër që kjo folje është ajo e cila ku bazohen të gjitha foljet e tjera. Dhe pra, në këtë duke qenë, ne dallojmë atë që është dhe të qenurit e saj. Atëherë në shqip, unë kam propozuar që për atë që është të përdoret termi qënie (siç shqiptohet rëndom në Labëri) dhe për të qenurit e saj të përdoret termi qenie (siç ekziston sot në shqip, por që gabimisht ngatërrohet për të treguar diçka që është, pra qënien).
Dakort, ky është veçse fillimi. Pasi të jetë bërë ky dallim, dmth pasi të kemi të qartë që tani e tutje do të na duhet të bëjmë me këto dy terma, ne do të shohim pak nga pak se si mendimtari ynë trajton çështjen e kuptimit të qenies. Duhet thënë që vepra e tij madhore, Sein und Zeit (Qenie dhe Kohë), është një ndër veprat më të bukura dhe të mëdha të filozofisë. Por përvec kësaj, Qenie dhe Kohë është një vepër e cila sot është objekt diskutimesh, referencash, debatesh si rrallë vepër tjetër. Dhe jo më kot ! Deri më 1927 kishte patur përpjekje të veçuara për të menduar Qenien por pa arritur kurrë për të shtruar një problematikë të saj. Duke kapur fillin e humbur qysh nga mendimtarët presokratikë, duke u ringjitur deri tek Parmenidi dhe Herakliti (I Errëti), Heidegger "shkundi nga pluhurat e kohës" çështjen aq të harruar të qenies. Qenie dhe Kohë, pra, është vepra bazë e mendimit heideggerian, dhe gjithashtu vepra ku shquhet më së miri ndikimi heideggerian në Europë dhe më gjerë.
Pak fjalë mbi fenomenologjinë. Në kuptimin e përgjithshëm, fenomenologji do të thotë studim përshkrimor i një tërësie fenomenesh. Husserl, filozof i madh dhe profesor i Heidegger, është ai i cili njihet si themeluesi i saj duke synuar për ta kthyer filozofinë një shkencë rigoroze, e cila më pas të themelonte të gjitha shkencat e tjera. Ideja është « për t’iu kthyer vetë gjërave », për t’iu kapur thelbin atyre.
Mirëpo, nga këtej, fenomenologjia e kupton veten si shkenca zanafillore e jetës. Por jeta nuk është një fenomen si të gjithë të tjerët, por një fenomen që përfshihet në vetë përkufizimin e fenomenologjisë, dhe ajo duhet mbërthyer ashtu siç është. Nocioni i jetës është i pandashëm nga ai i botës, dhe kjo botë thuhet ndryshe botë rrethuese, botë e përbashkët, botë e jona. Fenomenologjia nuk merret me probleme të veçanta apo të përgjithshme, por me probleme konkrete. Filozofia duhet të niset pra nga jeta faktike si shprehje që lidh faktin dhe kuptimin, ky i fundit duke u shfaqur si domethënësi. Por jeta, nga vetë rëndomësia e jetës së përditshme, është e vetëmjaftueshme, ajo nuk ka asnjë nevojë për ndonjë konsiderim teorik. Pra, një shkencë zanafillore e jetës duhet të lidhë : shprehje, domethënësi dhe vetëmjaftueshmëri. Heidegger, në Probleme themelore të fenomenologjisë, thotë : « Jeta duhet të jetë e kuptuar në perspektivën e një shkence zanafillore që buron nga vetë jeta ». Nëse Husserl ka meritën e pohimit të përparësisë së intuitës dhe rikthimit tek fenomenet, për Heidegger duhet shkuar më tej duke e ngritur fenomenologjinë si « një nxënie intuitive të kuptimit ». J. Greisch, në librin e tij, Pema e jetës dhe pema e dijes, thotë kështu : « Gjithçka ndodh njëlloj sikur koncepti i nxënies të vinte për të korigjuar atë të intuitës dhe koncepti i interpretimit atë të përshkrimit ».
Heidegger thotë që të shtrosh probleme themelore nuk është gjë tjetër veçse të filozofosh. Mirëpo, problemet themelore janë të arritshme vetëm duke u nisur nga probleme të veçanta, dhe ato duhet ditur të shtrohen.
Heidegger niset nga kjo ide që filozofia si fenomenologji është shkenca në kuptimin absolut. Filozofia nuk ka asgjë të përbashkët me një vizion apo konceptim të botës, por ajo synon për të hedhur dritë mbi fenomenin e botës si e tillë që kjo botë themelon mundësinë e çdo vizioni të botës. Një vizion i botës ka të bëjë me qënien, ndërkohë që filozofia pyetëson mbi qenien e qënies, ajo ngjitet nga qënia drejt horizontit të dhënies së saj, dhënie e cila nuk është asgjë prej qënieje. Duke qenë se nxënia e qenies është paraprake ndaj çdo eksperience të qënies, atëherë « qenia është problemi i vërtetë dhe i vetëm i filozofisë ». Por kjo do të thotë që shprehja një vizion filozofik i botës është një gjë e pakuptimtë ashtu siç dhe një filozofi e krishterë është një katror i rrumbullakët.
Mendimtari i madh ka meritën e madhe të të shkëputurit të termit Dasein nga kuptimi i tij i zakonshëm. Në gjermanisht, Dasein do të thotë qenie-aty, dmth diçka që është aty përballë. Por Heidegger i jep kësaj fjale një rrotullim të paparë : Dasein është ajo qenie-aty e veçantë e cila ka për të qenë (kujdes ! kjo ka për të qenë nuk duhet kuptuar në shqip si një premtim për të ardhmen, por në kuptimin që Dasein-i e ka të qenurit për ta patur), dhe si i tillë ai ka paraprakisht një nxënie të qenies. Dmth, Dasein-i është edhe njeriu edhe jo-njeriu. Njeriu sepse ai është një qenie-aty, dhe jo-njeriu sepse ai është një qenie-aty që ka një nxënie të qenies.
Duhet thënë që mendimi heideggerian mbahet për një mendim mjaft i vështirë për tu arritur. Akoma sot, filozofë nga pothuaj tërë bota merren me mendimin e tij. Unë nuk pretendoj këtu të kem kyçin e veprës dhe mendimit të tij. Por ajo çka unë shpresoj është kjo që unë do të doja të kishte një fillim për këtë. Ndoshta nuk jam në shtegun e duhur, por mjafton që të provohet dhe një i tillë. Vështirësia nuk duhet të jetë justifikim, por shtytje për tu përplasur me të. Kam patur fatin e madh që me veprën e tij të jem njohur nëpërmjet frëngjishtes, gjuhë në të cilën Heidegger është më se i studiuar. Me qindra studime të arritshme në biblioteka, në librari apo në linjë, mund të jenë një ndihmë e madhe për këdo që dëshiron të dijë më nga afër mendimin heideggerian.
Ky website pretendon të sjellë pothuaj një grimcë të vogël nga mendimi i Heidegger. Një grimcë që, pavarësisht nga vështirësia, është një nevojshmëri, në mos një domosdoshmëri për lexuesin shqiptar dhe për gjuhën shqipe. Mendimi heideggerian, ose më mirë një udhë mendimi heideggeriane, duhej detyrimisht të kalonte pranë një lexuesi të pasionuar shqiptar për që, më në fund, gjuha shqipe ta ndjente veten të barabartë me të tjerat për të mbartur dhe duruar peshën e tij. Dhe gjatë leximit dhe studimit të Heidegger, vura re me kënaqësinë më të madhe se shqipja kishte aftësi për të na e sjellur Heideggerin siç në çdo gjuhë tjetër. Dhe aq më mirë për ne ! Kam besim se një ditë do të zgjohet interesimi për këtë mendim, por deri atëhere kryesore është që të paktën të ekzistojë një qoshe, edhe pse në hije, ku ky mendim të fillojë për tu përvijuar në shqip. Është pak, por më mirë pak sesa hiç.
Ju falenderoj për vizitën dhe mirëpres të gjitha vërejtjet apo mendimet tuaja.
Urim Nerguti





bravenet.com